Rama tregon fytyrën e tij anti-BE

Vincent W.J. van Gerven Oei

Nuk është fare e habitshme për mua, ndoshta është për ata lajkatarë që ai mban në oborrin e tij, apo për zyrtarët e Delegacionit të BE-së në Tiranë, të cilët deri së fundmi duket se e kishin të pamundur të largoheshin nga orbita e Ramës dhe të flisnin qartë e me vendosmëri për kushtet që BE i kishte vendosur Shqipërisë për hapjen e bisedimeve të pranimit: retorikën anti-BE-së të Ramës, këto ditët e fundit.
Për ata që i kanë ndjekur pak më gjatë qendrimet e Ramës kundrejt BE-së, kjo nuk është aspak e papritur. Rama ka flirtuar, gjithmonë, me retorikën anti-BE, sa herë ajo i shkon për shtat qëllimeve të tij dhe e ka “kërcënuar” BE-në me bashkimin me Kosovën disa herë kur ka ndjerë se BE mund ta refuzonte vendin e tij. Ai ka lëshuar, gjithashtu, kërcënime të maskuara në lidhje me “qëndrueshmërinë” e rajonit, “kërcënimin” e Rusisë dhe të islamit radikal, ndërkohë që përkëdhelej me diktatorin turk Erdogan.
Sidoqoftë, kohët e fundit, retorika e Ramës ka filluar të tregojë shenja të një “kërkese” më të fortë ndaj BE-së për hapjen e bisedimeve, shoqëruar nga një paranojë që hedh dritë mbi paqëndrueshmërinë e brendshme të udhëheqësit të vetëm të vendit.
Gjatë seancës së parë të Kuvendit më 11 shtator, Rama u shpreh:
Ajo që unë mund të them shumë hapur dhe shumë drejtpërdrejtë […] çelja e negociatave nuk është më një çështje që lidhet me çfarë bëjmë ne më mirë. […] Ju kujtoj që ecuria me pesë prioritetet ishte e tillë që nga Komisioni u vendos si pikë fundore, reforma kushtetuese në drejtësi për të hapur negociatat. Reforma kushtetuese në drejtësi kaloi, negociatat nuk u hapën. Pastaj u vu vettingu. Vettingu kaloi dhe sigurisht pritet implementimi i vettingut, por kjo është si ta marrësh, sepse implementimi i vettingut ka nisur.
Më e pakta që mund të thuhet është se kjo është jo e gjithë e vërteta. Fakti është se, Komisioni Evropian (KE) rekomandoi në nëntor 2016 hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në varësi të ngushtë me “përparimin e besueshëm dhe të prekshëm të zbatimit të Reformës në Drejtësi, në veçanti rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve (vetingut)”. Sidoqoftë, asnjë “përparim i besueshëm dhe i prekshëm” i çfarëdoshëm nuk është bërë.
Por Rama është i keqkuptuar që e merr rekomandimin e Komisionit për “gjykim përfundimtar” të BE-së. Debati përkatës që pasoi raportin e Komisionit që rekomandonte hapjen e negociatave, pati, në mënyrë domethënëse, një gjuhë më të ashpër dhe theksoi kushtëzimin e prerë të negociatave me plotësimin e të gjitha kushteve, pra të të pesë kushteve.
Një muaj pas rekomandimit të Komisionit, Këshilli Europian-mbledhja e kryetarëve të qeverive të BE-së-zbuloi një qëndrim refuzues ndaj Shqipërisë për mosplotësim të asnjërit prej kushteve, qëndrim që u përfshi në draftin e përfundimeve zyrtare të Këshillit. Megjithatë Këshilli Europian nuk i miratoi përfundimet për çështjet e zgjerimit për arsye të vetos së Austrisë, në lidhje me qëndrimin ndaj Turqisë. Me fjalë të tjera, nuk ka asnjë konsesus zyrtar ndërmjet vendeve të BE-së se, kur dhe në çfarë kushtesh do të hapen negociatat me Shqipërinë.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Rama vazhdoi të mohojë, madje edhe kur qëndronte në krah të Ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin, që të kishte kushte në lidhje me hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Duke ja përsëritur këtë mohim në mënyrë të pandërprerë, kryesisht vetes së tij, Rama ka krijuar tani besimin se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së dhe prandaj situata “nuk varet më” nga ajo se çfarë Shqipëria po “bën më mirë”.
Kjo ide është, sigurisht, e keqkonceptuar dhe imagjinare, por ajo shpjegon pse Rama deklaron se problemi i krimit të organizuar shqiptar në vende si Holanda, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar është një lloj “justifikim i ri” i BE-së për të vonuar negociatat me Shqipërinë:
[Ç]elja zyrtarisht e negociatave vitin e ardhshëm është ajo çka Shqipëria pret dhe meriton dhe është e padrejtë, sipas nesh, që kjo çështje të vazhdojë të zvarritet për arsye që s’kanë lidhje me Shqipërinë, duke nxjerrë në çdo hap sebepe të reja.
Tani ka dalë, nuk e thonë zyrtarisht, s’mund të them, por ka dalë dhe vërtitet fantazma e “krimit etnik” shqiptar. Sigurisht, në media të caktuara e nxitur nga burime, forca të caktuara, por çështja është si dhe sa kjo temë do të mbetet në atë nivel, apo do të kthehet edhe ajo në një lloj kushtëzimi që, “zgjidhni njëherë problemin e krimit etnik shqiptar, pastaj shohim e bëjmë”.
Përballja me krimin e organizuar, i cili, i fuqizuar nga paratë e drogës, është përhapur tashmë në vendet e BE-së, është në fakt një nga pesë kushtet e vendosura nga BE që në fund të vitit të shkuar. Ndoshta, Rama harroi të lexonte materialin e shtypur që fliste si kishte arritur BE-ja në këtë vendim. Ndoshta, Ambasadorja Vlahutin mund të ishte treguar më me takt kur zgjodhi hapur të mbante anën e Kryeministrit, në vend që në të vërtetë të bënte detyrën e saj.
Ajo çfarë tregon fjalimi i fundit i Ramës është deliri i vetë mashtrimit. Ky delir e ka çuar në pikën ku ai fajëson vendet e BE-së se po pengojnë integrimin e Shqipërisë. Nga aty e ndan vetëm një hap i vogël nga deklarimi: ata nuk na duan, ndaj ne nuk do bëhemi kurrë anëtarë.
Nuk duhet të harrojmë se diçka e ngjashme ndodhi jo shumë kohë më parë në Turqi. Rezultatet janë tashmë të qarta për të gjithë.