Rama miraton kullën tjetër 133.8 metra të lartë, Tirana në prag kolapsi urban

Me shpejtësi marramendëse, Tirana po shndërrohet në një qendër të madhe betoni apo thënë ndryshe, kryeqyteti më i betonizuar në Europë. Është e pamundur të ketë një ditë pa lajme mbi firmosje lejesh ndërtimi për ngritje kullash për klientët pranë qeverisë.
Nën drejtimin e Edi Ramës, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi dje planin e përgjithshëm vendor të Tiranës, i cili mes të tjerave parashikon një kullë buzë Unazës, në Bulevardin “Bajram Curri”. Godina 133.8 metra e lartë do të pozicionohet mes qendrës tregtare “ETC” dhe parkut të lodrave për fëmijë “7 xhuxhat”.
Sipas përshkrimit të konceptit urbanistik dhe projektit arkitektonik, Kulla e emërtuar si “Downtown Albania” me pozicionin e saj strategjik në Tiranë përgjatë Bulevardit “Bajram Curri” ka potencialin për t’u bërë një landmark fantastik për qytetin. Por në fakt, kjo kullë pritet të lartësohet duke i zënë frymën zonës ku të ndërtohet duke shtuar edhe më shumë betonin.
Po sipas projektit, duke qenë ndërtesa më e lartë e Shqipërisë dhe me katet, që ndryshojnë në volumetri krijon një pamje impresionuese. “Kjo godinë do të jetë e dukshme nga Sheshi “Skënderbej” dhe më tej.
Natyra e dizajnit është e bazuar në siluetin e territorit të Shqipërisë dhe morfologjisë së saj. Lartësia e kullës arrin 133.8 m dhe do spikasë në siluetin e qytetit. Kati përdhe përbëhet prej hapësirës komerciale dhe hyrjeve të veçuara për zyrat dhe banimin. Zyrat do të kenë hyrje të shoqëruar me holl pritës nga Bulevardi “Bajram Curri”. Banesat do të kenë hyrje të shoqëruar me holl pritës nga ana Verilindore e objektit. Kulla do të ketë funksione të ndara në vertikalitet i quajtur ndryshe “Burger”.
Kjo shpërndarje funksionon duke patur funksione të ndryshme të ndara sipas kateve ku 2912 m2 të kateve të para do të shërbejnë si hapësira komerciale. Në katet që vijojnë do të jenë të lokalizuara ambjentet e zyrave me një sipërfaqe prej 21840 m2. Në katet e sipërme për të ofruar pamjet më të mira nga lartësia e kullës janë pozicionuar banimet me një sipërfaqe rreth 26208 m2.
Parkimi do të jetë nëntokë dhe me akses nga Bulevardi “Bajram Curri”, i cili do të mbulojë rreth 394 vende parkimi”, thuhet në projekt. Projekti nuk parashikon asnjë grimë hapësirë të blertë, ndërkohë që Tirana për shkak të betonizimit cilësohet si një nga kryeqytetet më të betonizuara dhe të ndotura të Europës. Pritet që kjo kullë shumëkatëshe të thellojë edhe më tej kolapsin urban në kryeqytet.

Leja e zhvillimit

Studio projektuese “DEA Studio” ka aplikuar në Sistemin E-Leje për pajisje me Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë Polifunksionale DTA (DOWNTOWN ALBANIA) në Bulevardin “Bajram Curri”, për shqyrtim në KKT.
Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), si sekretariat teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit, në përputhje me Ligjin Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar dhe VKM-në Nr. 725 datë 02.09.2015 “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit”, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin teknik dhe ligjor, ka konstatuar se statusi i aplikimi është si më poshtë:
– aplikimi bën pjesë në rastet kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit, sipas nenit 19 pikës sh) objektet mbi 9 kate; të nenit 19 të VKM-së Nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, i ndryshuar;
– në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 15, të Vendimit Nr. 408, datë 13.05.2015 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, i ndryshuar, dokumentacioni i aplikuar nëpërmjet sistemit është i plotë;
– në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në zbatim të pikës 12, të Urdhrit të Kryeministrit Nr. 143 datë 03.11.2015 “Për ngritjen dhe funksionimin e strukturave përgjegjëse për bashkërendimin e punës me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT)”, AZHT ka realizuar korrespondencë me Bashkinë Tiranë, e cila është shprehur si më poshtë në lidhje me kërkesën për leje ndërtimi për objektin “Godinë Polifunksionale DTA (DOWNTOWN ALBANIA) në Bulevardin “Bajram Curri”.
Bashkia Tiranë, e cila sipas shkresës nr.864/1 Prot., shprehet se:
…në vlerësim të vizionit dhe principeve të parashikuara në planin proces miratimi pranë KKT-së, ju informojmë se, propozimi nuk është në kundërshtim me parimet e zhvillimit për këtë zonë.
– Në përfundim, AZHT ju bën me dije se procedurat administrative/ligjore për këtë objekt do të vijohen nga Bashkia Tiranë, sipas përcaktimeve dhe rregullave të parashikuara në dispozitat e Ligjit Nr. 107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.05.2015 “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, i ndryshuar, në përputhje me marrëveshjen përkatëse për delegim kompetencash, bashkëlidhur Vendimit të KKT-së.