Rama, arrestime masive në LSI, në pranga 5 punonjës të AKU

Jo vetëm punonjësit e firmës që falsifikonte pije të ndryshme, por edhe punonjësit e AKU në Drejtorisë Rajonale të Shkodrës kanë rënë në pranga. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë lokale në Shkodrës. Drejtoresha e këtij institucioni i përket LSI dhe duket se gjuetia ka nisur nga Rama ndaj punonjësve të kësaj force politike.
Në njoftimin e policisë thuhet se, në datë 20.09.2017 nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër ekzekutoi Urdhrat e Prokurorisë Shkodër për ndalimin e shtetasve:
Syrri Caku, 70 vjeç, banues në Shkodër, Fatjon Bushati, 29 vjeç, banues në Shkodër, Sami Haxhija, 59 vjeç, banues në fshatin Guri Zi si dhe u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit: Xhevat Kasemi, 53 vjeç, banues në Shkodër, i proceduar dhe i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si punonjës të subjektit “Briland” me administrator shtetasin Xhavit Kasemi, kanë prodhuar produkte ushqimore në mënyrë të kundraligjshme dhe të dëmshme për shëndetin, ku gjatë kontrollit në subjektin “Briland” në lagjen Ajasëm, Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të mëdha pije alkoolike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Shkelje e të drejtës së pronësisë industriale”, “Prodhimi i kundraligjshëm i artikujve industrial e ushqimor”, “Falsifikimi i formularëve”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 288/a, 149/a, 190, 189/2, 180 i Kodit Penal.
Gjithashtu u bë ekzekutimi i Urdhrit të Prokurorisë Rrethit Shkodër me Nr. extra datë 20.09.2017 për ndalimin e shtetasve: Hilmi Erkoçaj, 65 vjeç, banues në fshatin Mushan, Njësia Administrative Dajç, Shkodër, me detyrë inspektor të Drejtorisë Rajonale në AKU Shkodër, Abdyl Bajraktari, 52 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë inspektor të Drejtorisë Rajonale në AKU Shkodër, Elvis Rraboshta, 32 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë inspektor në Drejtorinë Rajonale në AKU Shkodër, Adnan Gradeci, 50 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë inspektor të Drejtorisë Rajonale në AKU Shkodër, Edmond Fortuzi, 65 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë inspektorë të Drejtorisë Rajonale në AKU Shkodër.
Shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mbajtur proçesverbale fiktive në subjektin “Briland” me administrator shtetasin Xhavit Kasemi, duke e lejuar të prodhojë produkte ushqimore jashtë normave të higjenës e në mënyrë të kundraligjshme.