Protestojnë kundër Tërmet Peçit, policia merr zvarrë tregtarët në Ujin e Ftohtë

Tregtarët ambulantë në zonën e Ujit të Ftohtë u përplasën me forcat e rendit dhe ato të Policisë Bashkiake ditën e djeshme. Tregtarët ishin hedhur në protestë pasi Bashkia e Tepelenës kërkon largimin e tyre nga tregu për të liruar hapësirat publike. Tregtarët tha se, janë ngritur në protestë se po largohen nga vendi i punës së tyre vetëm për interesa të ngushta të një individi, i cili do të ndërtojë një kompleks në këtë zonë.
Tregtarët thonë se ata po largohen nga vendi i punës për të ndërtuar një kompleks një miku i Tërmet Peçit. “Kemi 10 vite këtu. Nuk luaj këtu dhe do të vdes. Bëri një lokal atje dhe kërkon të marrë deri në Gjirokastër”, u shpreh një tregtar. Por, kundërshtimet e tregtarëve nuk kanë zgjatur shumë, pasi policia ka shoqëruar në komisariat dy persona, një grua dhe një burrë, ndërsa është bërë edhe konfiskimi i mallit që tregtohej aty. Policia ka marrë zvarrë disa tregtarë dhe i ka futur me forcë në furgon.
Nga ana tjetër, nëpërmjet zëdhënësit, Aleksandër Toti, Bashkia e Tepelenës sqaron se projekti që do të zbatohet në Ujin e Ftohtë kap vlerën e 2 milionë eurove dhe parashikon punësimin e mbi 50 personave.
“Bashkia e Tepelenës ka lidhur një marrëveshje. Këtu do të ndërtohet një biznes i fuqishëm dhe do t’i shërbejë zonës jo vetëm për nivelin e lartë të shërbimit, por edhe të punësimit të banorëve”, tha zëdhënësi i Bashkisë.
Në Ujin e Ftohtë në Tepelenë ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 40 shitës ambulantë.