Prekë Cali ka mbetur vetëm

Frrok Çupi

Ndoshta kjo është epoka më e mirë e tij. Kësaj here duke e lënë vetëm, Prekë Cali ‘merr dhenë’, dmth., bëhet fjalë dhe flitet e dëgjohet kudo. Para se të shfaqej hapur ‘vetmia’ e Prek Calit, ishte akoma më i vetmuar: Gjysmë shekulli i ndaluar nga bolshevizmi shqiptar që t’i përmendej emri, i harruar në gropën ku e hodhën, pasi i propozuan ‘gërma të arta’ për emrin. Tre dekada të Lirisë, prapë Prekë Cali zuri vendin e një mali në Kelmend, por të realitetit; nuk e afruan si njeri dhe si atdhetar me mish e me shpirt, siç ishte.
Prapë vetëm kishte mbetur Prekë Cali. Më mirë që guxuan t’i prishin shtëpinë, që të mund të merrej vesh se ‘Prekë Cali ishte dhe është’.
Mbrëmë kishin mbledhur gjashtë ‘studiues’ në një emision televiziv, për të folur për Prekë Calin; të zgjedhur me dorë tre komunistë dhe tre anti-komunistë.

Prapë përballë komunistëve:
Herën e fundit kur u nda nga regjimi komunist, Prekë Cali u nda me grykën e pushkës. E vunë para skuadrës së pushkatimit dhe ‘u liruan’ nga Prekë Cali. Këta në studion televizive thanë se ‘Preka iu kishte zënë rrugën..”. Në fakt kështu është: Prekë Cali i zuri rrugën bolshevizmit që vërshoi si mortje mbi Shqipëri dhe po përmbyste gjithçka: Moralin, Fenë, Familjen dhe vetë trojet e Atdheut. Plani për t’i falur Serbisë dhe Malit të Zi disa pjesë të atdheut, dështoi për shkak të rezistencës së Prek Calit… Këtë rrugë kishte zënë njeriu epokal i Veriut të Shqipërisë.

Prapë askush nga të vetët:
Të gjashtë burra e gra që ishin thërritur për të folur para publikut për Prekë Calin, ishin nga çdo zonë e vendit, por askush nga Vermoshi…, as nga Kelmendi…, as nga Veriu. Njëri nga ata, më i gjati, që deri vonë e quanim ‘fyll në mendje’, tha se kishte dëgjuar për Prekë Calin ‘një herë kur kaloi atyre anëve nëpër fshatra. Dhe nisi të tregojë si një ekskursionist çfarë i kishte thënë dikush në rrugë. Se ky ‘studiuesi’ i gjatë nuk pi as duhan si burrat që të kishte ndaluar e të kishte folur me një burrë… Pastaj tha se kishte pas lexuar edhe disa shënime të të huajve që kaluan atyre anëve. Si ky, edhe të tjerë, kur zunë në gojë emrin e Prekës (në trajtë të shquar) e quajtën ‘Preku’. Me kaq mbaroi; nuk mund të lejohej të flitej më shumë për Prekën, përderisa as emrin nuk ia thonin siç e kishte.
Po si nuk u ndodh një burrë nga viset e tij që të fliste për Prekë Calin në këtë moment kyç? Të paktën tani të mos e linin mes të panjohurve; domethënë vetëm!…

Kishte qenë një prift atëherë, por tani as ky nuk është pranë Prekë Calit:
Të gjashtë që u rrekën të thonë ndonjë ‘përrallë’ për Prekë Calin, sollën një fakt: Faktin se komunistët terroristë që drejtonte Mehmet Shehu, kur e panë se Prekë Cali nuk po dorëzohej, i dërguan një prift për bisedime. Bisedimet i dhanë fund arratisë së Prekë Calit, dhe e çuan në pushkatim. Por nuk i ndërruan as mendjen, as qëndresën e tij anti-bolshevike. Ai deklaroi se, bolshevikët po shisnin trojet e atdheut, po formonin internacionalizmin kundër interesave nacionaliste, se po sjellin vajza partizane, se po shkatërrojnë familje, fe, dhe atdhe…
Por atëherë, të paktën, ishte një prift në krah të Prekë Calit. Kësaj here mes gjashtë ‘analistëve’ nuk ndodhej asnjë katolik që të mund të ndjehej më afër asaj që kishte përjetuar e dashur Prekë Cali. Komunizmi e luftoi, sepse ishte regjim i pa fe dhe sidomos egërsirë kundër katolicizmit; edhe Preka e luftoi komunizmin, sepse ishte me fe katolike dhe me atdhetari…

Komunistët e tanishëm e dërgojnë në gjyq të vetëm:
Njëri nga panelistët tha se ‘mirë ia bënë që e pushkatuan’. Argumenti ishte se Prekë Cali ‘ka prishur rrugëtimin e regjimit komunist’. Njeri që fliste kështu vjen nga familja mallkastriote Klosi-fqinje me familjen e terroristit Mehmet Shehu. Klosi ka qenë tërë jetën e diktaturës komuniste-familja që kishte ligjin në dorë. Madje, kushëriri i Fatos Klosit që mbron si të drejtë ‘gjyqin dhe pushkatimin e Prekë Calit, ka qenë më kriminel se Mehmet Shehu. Bilbil Klosi (shiko çfarë emri fërshëllyes ose inferior ‘Bilbil’), kishte një zakon: Kur ishte Prokuror i Përgjithshëm, sapo mbaronte dëshmia e ‘armikut të Partisë’, ky e ndiqte drejt qelisë dhe nga prapa kokës i vinte pistoletën. E vriste pa shkuar në gjyq, aty në korridor, me dorën e tij. E kishte pasion dhe ‘hobi’ që ta bënte këtë gjë…
Klosi që u ndodh në studio dhe që brohoriste për pushkatimin e Prekë Calit si anti-komunist, nuk e ka atë pasion të trashëguar nga Bilbili. Por sidoqoftë tregoi supermacinë e fisit komunist ‘Klosi’ ndaj fisit të malësorëve atdhetar “Cali”…
… Ka edhe momente kur vetmia është më e mirë. Më mirë që Prekë Cali është vetëm se me këta.