Plas tek PSG

Topi është i imi penalltinë e gjuaj vetë. Të kesh një skuadër me shumë yje, krahas aspektit pozitiv, ka edhe atë negativ. Një gjë e tillë mund të thuhet në rastin e PSG. Cavani, Neymar dhe Mbappe, tre sulmues të aftë për të prodhuar një pafundësi golash. Sigurisht që bashkëpunimi mes tyre nuk mungon, por ka edhe raste, kur egoja personale është më e madhe se fryma e grupit. Një për të gjithë të gjithë për një. E në fakt, një gjë e tillë u vu re në takimin e PSG dhe Lyon, aty vendasit arritën të fitonin me rezultatin 2-0 edhe pse të dyja rrjetat ishin autogola.
Në minutën e 80, gjyqtari i takimit akordon një 11-metërsh për parisinët, e pikërisht në këtë moment nis edhe një lloj debati, ku sigurisht nuk mund t’i mungonte syrit të kamerave. Kush do ta gjuajë penalltinë? Në video shihet qartë, teksa Neymar merr topin për të qenë ai ekzekutuesi i penalltisë, por për këtë nuk është dakord, Cavani, i cili kërkon t’i marrë topin për të qenë ai personi që do ta godasë.
U desh ndërhyrja e Dani Alves që t’i jepte drejtim situatës, me brazilianin që vendos të jetë bashkëkombasi i tij Neymar ai që duhet të marrë përsipër, por Cavani insiston sërish dhe në fund i realizohet dëshira, niset dhe gabon. Para se Cavani të refuzojë kërkesën e Neymarit për të ekzekutuar penalltinë, Dani Alves bëri një gjest të çuditshëm.
Pas një ndërprerje, braziliani mori topin dhe ia dhuroi Neymarit, duke injoruar tërësisht Cavanin.
Tani, ish-lojtari i Barcelonës, është menduar të mohojë diçka të tillë, duke thënë se e bëri këtë për shkak se mendonte ta ekzekutonte vetë goditjen e dënimit. “Unë doja ta ekzekutoja goditjen e dënimit. Mora topin pas faullit sepse tashmë kam shënuar disa gola”, tha Alves për “SporTV”. “Kisha besim, por në fund të fundit, më i rëndësishëm është ekipi dhe jo rezultatet individuale”, shtoi Dani Alves.
Për një situatë të tillë foli edhe tekniku i PSG, Unay Emeri, i cili deklaroi se nëse futbollistët nuk e ndajnë me njëri-tjetrin se kush do ta gjuajë penalltinë, atëherë do të jetë ai që do të ndërhyjë, në mënyrë që skena të tilla të mos përsëriten më. “Penalltitë do të ekzekutohen nga disa lojtarë, ndër ta janë Cavani e Neymar”, tha Emery pas ndeshjes.
“Duhet të arrihet një marrëveshje zotërinjsh për penalltitë. Pas kësaj që ndodhi, ne do ta organizojmë në mënyrë të brendshme për penalltitë e ardhshme sepse mendoj se që të dy janë të aftë për të shënuar dhe unë dua të kemi alternativa”, shtoi Emery. “Nëse ata nuk kuptohen mes vete, unë do të vendos. Nuk dua që kjo të jetë një problem për ne”, theksoi mes të tjerash Emery.