PD: Komision Ad Hoc për votimin elektronik

Partia Demokratike është e vendosur në kërkesën e hershme të saj për instalimin e votimit elektronik, duke kërkuar që ta bëjë këtë proces pjesë të menjëhershme të Reformës Zgjedhore. Kryesia e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka vendosur që të depozitojë kërkesën për ngritjen e komisionit ad hoc për reformën zgjedhore. Kërkesa do të dorëzohet të hënën në Kuvend dhe ka në fokus dy pika kryesore, problematikat e zgjedhjeve që kanë të bëjnë me shitblerjen dhe manipulimin e votës dhe e dyta, votimin elektronik. Kreu i PD-së, Lulzim Basha theksoi të enjten në “Opinion” se, reforma zgjedhore është prioritet i opozitës, ndërsa u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me mazhorancën në këtë çështje.
Të hënën aksioni do të vihet në jetë me depozitimin në Kuvend të kërkesës për ngritjen e komisionit ad hoc. Edi Paloka, nënkryetar i Partisë Demokratike, bën me dije se elektronika është një pikë e panegociueshme. “Reforma zgjedhore do të jetë fokusi kryesor i PD dhe grupit parlamentar. Menjëherë do të bëjmë kërkesën për ngritjen e një komisoni ad hoc për reformën zgjedhore, një komision i cili ndër të tjera do të ketë si pikë kryesore apo të rëndësishme votimin dhe numërimin elektronik”, tha ai.
Ndërkohë llogaridhënia për ministrat e kabinetit të bëhet edhe përmes Kuvendit. “BalkanWeb” ka mësuar se Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë ministrat e parë që do të thirren të raportojnë në komisione parlamentare. “Përveç kësaj ramë dakord që të thirren disa prej ministrave dhe të kërkohet informacion lidhur me strukturën e re të qeverisë, e cila duket qartazi që nuk është një strukturë që është ngritur për të funksionuar mirë qeveria, por një strukturë që siç e kemi thënë dhe në seancën e parë është ngritur vetëm me dy qëllime: Së pari, t’u gjejë punë ish-bllokmenëve dhe pinjollëve të bllokut dhe së dyti, të ketë një strukturë sa më të përshtatshme që paratë e shqiptarëve të kalojnë pa shumë problem nga ato të dy ministrave kryesorë që do të kontrollojnë paratë e gjithë shqiptarëve, nga xhepat e tyre në xhepin e Edi Ramës”, shtoi Paloka.

BE kërkon Reformën Zgjedhore

Në tryezën për financimin e fushatës zgjedhore, kreu i Këshillit të Europës, Klaus Neukirch, bëri thirrje për miratim sa të më të shpejtë të reformës zgjedhore. Klaus Neukirch: Ndryshimet në ligjin për partitë politike një muaj para zgjedhjeve janë në mospërputhje me Kodin Zgjedhor. Rekomandimet e Instrumentit Horizontal të Bashkimit Europian nuk janë zbatuar plotësisht. Reforma zgjedhore duhet të ecë përpara dhe duhet të jetë një paketë gjithpërfshirëse, e realizuar me dialog dhe kompromis, duhet të merren parasysh edhe rekomandimet nga Këshilli i Evropës, OSBE-ODIHR, si dhe Komisioni i Venecias. Ndërsa Kreu i Operacioneve në delegacionin e BE në Shqipëri, Stephan Storka, tha se duhet t`i jepet fund kulturës së pandëshkueshmërisë për partitë politike që konstatohen në shkelje të ligjit.
“Ashtu sikursë theksoi Presidenti Junker, nëse duam më shumë stabilitet me fqinjët tanë, atëherë ne duhet të mbajmë të besueshëm perspektivën europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendet kandidate duhet të forcojnë sundimin e ligjit, si dhe të respektojnë të drejtat themelore të njeriut”, tha Stroka. Për kryetarin e KQZ, Klement Zguri, transparenca financiare e partive politike është një sfidë për Shqipërinë. Klement Zguri: Zhvillimi i fushatave zgjedhore luksoze dhe mungesa e transparencës së finacimit të partive politike për një vend të vogël si Shqipëria është fenomen i papranueshëm, pasi ushqen korrupsionin zgjedhor dhe politik.