Nojer thyen sërish këmbën

Portieri i Bajernit të Mynihut dhe Gjermanisë, njëkohësisht kapiten i të dy ekipeve, Manuel Nojer, ka pësuar sërish një dëmtim të rëndë në këmbën e tij të majtë. Ai braktisi stërvitjen e djeshme të Bajernit për shkak të dhembjeve që ndjente dhe pas ekzaminimeve të bëra nga mjekët, u konfirmua se 31-vjeçari ka thyer sërish këmbën e majtë, një dëmtim që e la jashtë fushave për disa muaj dhe tashmë i rikthehet sërish. Ende nuk është e konfirmuar, por Nojer rrezikon t’i nënshtrohet një tjetër operacioni që mund t’i ndalojë aktivizimin për një tjetër periudhë të gjatë.
Ky lajm ka shqetësuar jashtëzakonisht shumë ambientin e Bajernit të Mynihut, por edhe të kombëtares gjermane, duke qenë se forma e lojtarëve gjatë këtij sezoni futbollistik do të jetë vendimtare për Kupën e Botës “Rusi 2018” të verës së ardhshme.