Muller në Premierligë

Legjenda e Bayern Munichut, Lothar Mateus ka paralajmëruar trajnerin Karlo Ançeloti që mund të ketë kaos total në skuadër. Javët e fundit Bayern Munich është në krizë të madhe, ku përveç që skuadra nuk po luan mirë, disa lojtarë kanë filluar të shfaqin pakënaqësitë e tyre. Fillimisht u bë debat mosaktivizimi i Thomas Muller, pastaj Lewandowski kritikoi blerjet dhe në fund Ribery reagoi shumë keq pas zëvendësimit në ndeshjen ndaj Anderlechtit në Ligën e Kampionëve.
Lothar Matheus ka paralajmëruar Ançelotin që të marrë masa, ose do të ketë kaos në skuadër. Ai madje kërkoi nga italiani që nëse është nevoja të dërgojë dikë edhe në tribuna. “Ançeloti duhet të tregohet i ashpër. Më shumë se sa ka qenë në një vit e gjysmë ose në të kundërtën do të ketë kaos total. Nuk e di nëse do ta bëjë këtë, ose e ka bërë tashmë”, tha Mateus për “Bild”.
“Ançelotti duhet të bisedojë me skuadrën. Ai duhet ta bëjë skuadrën gati dhe të fillojë të luajë më mirë. Ai duhet t’i disiplinojë lojtarët e tij nëse dëshiron sukses. Nëse është nevoja, dikë duhet ta dërgojë edhe në tribuna”. Krejt në fund gjermani e pranoi se shkaku i këtyre problemeve është që skuadra nuk po luan mirë, pavarësisht se po i fiton ndeshjet.
Thomas Muller nuk e ka nisur mirë sezonin te Bayern Munich dhe nëse vendos të largohet, destinacioni i gjermanit pritet të jetë Premierliga. Sipas asaj që raporton “The Sun”, Thomas Muller do të preferonte transferimin në Premierligë te Manchester Unitedi nëse vendos të largohet nga Bayern Munichu.
Gjermani e ka nisur sezonin në mënyrën më të keqe dhe lidhet me një kalim te Arsenali, Chelsea apo edhe Liverpooli. Sido që të jetë, sulmuesi, i cili u kërkua nga “Djajtë e Kuq” edhe dy vite më parë, mund të transferohet në “Old Trafford” nëse Karlo Ançeloti vazhdon ta lerë në bankën rezervë.
Futbollisti i Bayern Munichut, Franck Ribery është revoltuar kur është zëvendësuar në ndeshjen ndaj Anderlechtit në Ligën e Kampionëve. Ai pas zëvendësimit ka hequr fanellën dhe e ka gjuajtur në zhveshtore, duke bërë që të reagonte edhe drejtori Sportiv, Salihamidzic.
Francezi është arsyetuar duke thënë se gjithnjë ka dhënë gjithçka për Bayernin dhe se dëshiron të luajë në çdo ndeshje. “Kam qenë gjithmonë një ndër lojtarët më besnikë të klubit. I respektoj tifozët dhe klubin që dua. Incidenti me bluzën nuk ka të bëjë me mungesë respekti ndaj klubit sikurse po akuzohem lart e poshtë nga njerëzit. Për këtë bluzë kam dhënë çdo gjë timen për më shumë se 10 vite dhe nga kjo bluzë kam fituar shumë. Për sa kohë do të jem në fushë do të vazhdoj të mbroj ngjyrat e klubit tim, por ka njerëz që nuk e kuptojnë ç’do të thotë të duash një klub. Unë, Franck Ribery, dua të luaj çdo ndeshje me gjithë pasionin tim dhe të bëj tifozët të lumtur kudo ndodhen. Me ndihmën dhe dashurinë e tyre do të vazhdojmë të shkruajmë historinë”, shkruan Ribery në Instagram.