Monstra Xhafa: Nuk ndjehem keq për torturat në hetuesi ndaj krutanëve

Hetuesi i diktaturës që masakroi të rinjtë krutanë sepse festuan për vdekjen e diktatorit deklaroi në një intervistë për Ora News se ai nuk ndjehet keq për asgjë që ka bërë gjatë jetës së tij duke mohuar të kërkojë ndjesë për krimet e tij në kohën e diktaturës. Xhafa mohoi në mënyrë kategorike që të ketë hetuar çështje politike në diktaturë dhe i konsideroi mashtrime deklarata e qytetarëve krutanë që kanë provuar në trupin e tyre torturat e Xhafës.

Tare: Ju thatë se keni marrë mbështetje sa herë ju ka sulmuar opozita. Ju dhe miku juaj Gramoz Ruçi keni qenë ndër më të sulmuarit. Keni një shpjegim?

Xhafaj: Nuk është hera e parë. Ka nisur që në periudhën kur ka filluar reforma në drejtësi. Ato kanë qenë sulmet më të egra. Ka qenë një bashkim i disa grupeve interesash politikë dhe njerëzve që vinin nga biznesi për të më sulmuar politikisht por për të ushtruar edhe një lloj presioni ndaj gjithë asaj ndërmarrje të jashtëzakonshme.

Kur ndeshesh me qëndrime apo reagime të kësaj natyre, të cilat janë më shumë të karakterit personal se sa të nevojës për të debatuar apo për të shprehur pikëpamje nuk ndihesh mirë, por ky është realitet i hidhur i politikës shqiptare apo disa njerëzve që e kanë ngritur karrierën e tyre duke hedhur baltë.

Tare: A mund ta ndani për teleshikuesit se cila ka qenë e shkuara juaj në periudhën e komunizmit?

Xhafaj: Kur është ndryshuar sistemi kam qenë 30 vjeç. Kam mbaruar juridikut në 82. Kam punuar disa kohë këshilltar ligjor. Pastaj kam punuar për pak kohë hetues, por jo në Ministrinë e Brendshme. E kam dhënë përgjigje publike. Në mënyrë kategorike në asnjë rast nuk kam hetuar apo gjykuar një çështje të natyrës politike. Edhe vetë koha ka qenë shumë e shkurtër. Jam sot i vetëdijshëm pse ka ndodhur gjithë kjo histori e sajuar. Janë tentuar të korruptohen apo të shfrytëzohen njerëz të caktuar për të më sulmuar politikisht. Është shumë e turpshme dhe banale. Më kanë shkruar që janë përdorur. E di shumë mirë nga ka ardhur, por kjo është e parëndësishme. Si shumë njerëz mund të kem bërë gabime në jetë. Por nuk ka asnjë gjë për të cilën të ndihem keq në jetë, jo thjesht përpara qytetarëve por edhe një individi të vetëm.

Tare: Kur rishikoni foton tuaj pranë diktatorit Hoxha. Si ndiheni?

Xhafaj: Bëjnë pjesë në arkivin e jetës time dhe asgjë më shumë. Argëtohem.