Mediat italiane: Problematikat e turizmit në Shqipëri

“Bumi” turistik i këtij viti që ka bërë shumë media të huaja të flasin për Shqipërinë, sigurisht që ka ardhur si lajm i mirë për të gjithë, por kjo surprizë e papritur e këtij sezoni veror nuk ka kaluar pa hezitim për disa më dyshues. “Duket se nga plazhet e Adriatikut jemi kujtuar papritur se ekziston një breg tjetër përballë, as 45-50 milje larg. Zbulimi i vonë i Shqipërisë është pak surprizues dhe është bërë çështja e nxehtë e kësaj vere”. Nis kështu shkrimi i “ilSole24”, i cili paralajmëron pushuesit e mundshëm italianë, se Shqipëria ndoshta nuk është krejtësisht gati për të pritur masivisht turistë. Teksa vlerëson sigurisht aspektet pozitive si plazhet, njerëzit, ushqimi dhe çmimet e lira, artikulli fokusohet në problematikat që shqetësojnë pushuesit. Mbeturinat nëpër plazhe janë një nga problematikat kryesore, por jo vetëm. Mungesa e një sistemi efikas të menaxhimit të mbetjeve dhe mosriciklimi i tyre bëjnë që ato të përfundojnë në fusha të hapura. Shqetësues për një turist është edhe pamja e familjeve rome, të cilat shpesh bashkë me fëmijët mbledhin plastike, metale apo materiale të tjera për të fituar sadopak para. Një tjetër problem është edhe ai i abuzimit me ndërtimet, të cilat i heqin bukurinë natyrës së bukur e të egër, me malet që kridhen në detin e kaltër. Pallate, vila, hotele, restorante të ngritura nga pasuri të dyshimta, të cilat pengojnë peizazhin dhe në rastet më të shumta janë bosh. Edhe standardi i munguar i pritjes në hotele e restorante është shqetësues. Është shumë e vështirë të identifikosh një hotel që përfaqëson një stil lokal në dizajn. Shërbimi nuk është në një linjë me atë që gjendet pak më lart në Kroaci apo pak më poshtë në Greqi. Edhe rrjeti rrugor shpeshherë është i shkëputur, e mund të ndodhë të udhëtosh në rrugë me gropa dhe gunga të papritura. “Sigurisht që asnjë nga këto nuk është e pashërueshme, por do të duhet pak kohë para se bregdeti të bëhet një destinacion për udhëtime familjare. Por kjo është e bukura e Shqipërisë, e cila nëse do të zhvillohet në drejtimin e duhur mund të dallohet nga pjesa tjetër e Europës”, përfundon shkrimi.