Mbyllen 8 shkolla në Gramsh, s’ka nxënës, boshatisen fshatrat

 

Në Bashkinë e Gramshit janë mbyllur tetë shkolla. Shkak është largimi i banorëve nga zonat rurale. Fshatrat në Gramsh po boshatisen. Aty nuk ka më njerëz. Tregues është numri i nxënësve.
Këtë vit të ri arsimor, në Bashkinë e Gramshit u mbyllën tetë shkolla. Gjashtë prej tyre janë të ciklit fillor dhe 2 të ciklit të ulët.
Sipas përgjegjësit të Zyrës Arsimore, Xhevit Dyrmyshi, shkak është bërë mungesa e nxënësve, veçanërisht në zonat rurale. Shumë familje po lënë fshatrat dhe po ikin si në emigracion ashtu edhe në migracion, duke marrë edhe fëmijët me vete.
Kjo zbrazje e fshatrave po shoqërohet me humbjen e vendeve të punës për dhjetëra mësues. “Sivjet na janë mbyllur 8 shkolla për shkak të numrit të kufizuar të nxënësve. Për pasojë një numër i konsiderueshëm arsimtarësh humbin vendet e punës. Kështu që sa i përket emërimeve ne kemi mbajtur parasysh futjen e atyre që kanë qenë jashtë sistemit”, pohon përgjegjësi i kësaj zyre, Xhevit Dyrmyshi.
Një situatë e ngjashme haset edhe në disa fshatra të Librazhdit dhe Përrenjasit. Por ky fenomen nuk ndalon këtu. Në veri të vendit shumë fshatra kanë mbetur vetëm me të moshuar.

Ikja për azil, në Fier 1700 nxënës më pak në shkolla

Në Fier, këtë vit janë ulur më pak nxënës në bankat e shkollës, si në arsimin nëntëvjeçar ashtu dhe në atë të mesëm. Në një intervistë për “Ora News”, kreu i Drejtorisë Arsimore të Fierit, Shkëlqim Allkaj pohon se fenomeni i ka rrënjët tek migracioni i familjeve jashtë vendit ose në qytete të tjera, por edhe tek ulja e numrit të lindjeve viteve të fundit.
Largimi i familjeve fierake në emigracion është arsyeja kryesore përse këtë vit të ri arsimor, në bankat e shkollës janë ulur më pak nxënës. Drejtori i Drejtorisë Arsimore të Fierit, Shkëlqim Allkaj, sqaron se ka rënie të regjistrimeve të fëmijëve në shkolla si në arsimin 9-vjeçar ashtu edhe në atë të mesëm. Shkaqet sipas tij, janë emigrimi i familjeve dhe çifteve të reja.
Ende nuk ka statistika të sakta për numrin e familjeve të larguara nga Fieri jashtë vendit, apo drejt qyteteve të tjera, lëvizje këto që kanë ndikuar edhe në rënien e numrit të nxënësve në shkollë.