Mbi 700 banorë në Shkozë hidhen në rrugë nga qeveria

Një kordon policie dhe një shirit i vendosur përpara aksit ku shemben banesat në Shkozë të ndalon të shkosh në vendin ku vijon aksioni i IKMT. Një pjesë e banorëve qëndrojnë në rrugë, të tjerët janë të ngujuar në shtëpitë e tyre, duke përjetuar ankthin dhe panikun nga fadromat e INUK. Tre familjet, shtëpitë e të cilëve u shembën një ditë më parë, kanë qëndruar tek të afërmit, ndërsa të tjerët vazhdojnë të shprehin zhgënjimin se u lanë në mes të rrugës.
“Unë nuk e di ku fjetën ata banorë që iu shemb dje banesa. E mendoi shteti këtë?!”, u shpreh një nga banorët, ndërsa nuk ka kursyer akuzat për qeverinë. Ai tha më tej se, shteti i ka helmuar si kobra. “Kobra helmon me dy mënyra, me kafshim dhe me spruca helmi që të hedh në fytyrë. Kështu na e hodhi shteti”, tha ai.
Osman Hysa, përfaqësues i 153 familjeve që preken nga projekti i rehabilitimit të lumit të Lanës, në prani të deputetëve të PD-së pohoi se, këtu ka më shumë policë sesa banorë. “Unë jam një nga viktimat. Banesa ime nuk është shembur, por pritet nga çasti në çast të shembet. Siç e shikoni, këtu ka më shumë policë sesa banorë. Banorët janë urdhëruar të futen brenda. Nuk të lë policia që të dalësh nga shtëpitë dhe pa asnjë dokument të vjen përpara derës dhe të thotë, zotëri dil nga dera. Ne nuk jemi kundër kurrë planit rregullues, ndonëse jemi të bindur se projekti është abuziv, sepse dikush nga qeveritarët mbron interesat e tij. Shteti le të vijë dhe të ulet me ne. Deputetja jonë, Elona Gjebrea na vuri në gjumë dhe na tha se, nuk do t’u vijë njeri në mënyrë arrogante në derën e shtëpisë, duke më terrorizuar mua që jam 75 vjeç dhe të gjithë banorët e lagjes”, u shpreh ai.
Ai tha më tej se, vërtet 153 banesa, por janë 401 familje, janë mbi 700 banorë që dalin rrugëve pa u thënë se ku do të shkojnë. “Media ka informacion të gabuar, janë vërtet 153 banesa, por janë 401 familje, janë mbi 700 banorë që dalin rrugëve pa u thënë se ku do të shkojnë. Nuk e di se ku e ka vënë kokën ai djali me atë piskamën e famshme ‘jo, jo, jo’, nuk e di. Unë e kam të legalizuar, por ai që nuk e ka të legalizuar. Nuk e mbaj mend ndonjëherë, moj zonjë vendin tim pa kryeministër, pa kryetar bashkie, pa ministër të Brendshëm. Ai që ka ardhur (banorët), ka ardhur e gjithë Shqipëria dhe ky është risku i kryeqytetit. Si ka mundësi që të trajtohet si kafshë? Si ka mundësi që të trajtohet si armik? Mora vesh që ka rënë tërmet në Meksiko City, ja ku është tërmeti. Shiheni të gjithë ku është tërmeti dhe kush e di se çfarë do të bëhet. Nuk na është thënë deri më sot absolutisht asgjë se çfarë do të marrim. Nuk kemi asnjë informacion tjetër”, përfundoi përfaqësuesi i 153 familjeve që po u shemben shtëpitë.
Aksioni i IKMT vijon në shembjen e banesave të tjera. Janë identifikuar 153 objekte që preken nga ky projekt, ndërsa banorët thonë se 700 persona do të jenë në qiell të hapur.

Fadromat e INUK vazhdojnë shembjet e shtëpive në Shkozë

Fadromat e INUK kanë vijuar edhe ditën e djeshme shembjet e shtëpive të banorëve të Shkozës, për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Fadromat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit goditën disa shtëpi në pjesën e poshtme të urës, ndërsa oficerët e Policisë së Shtetit kishin rrethuar zonën, duke ndaluar çdo lëvizje.
Prej pesë ditësh, një pjesë e banorëve të Shkozës, të cilët i kanë ndërtuar shtëpitë në vitet ’90, por nuk u janë legalizuar, janë ngritur në protestë për të kundërshtuar procesin si jotransparent dhe kanë hedhur poshtë ofertat e Bashkisë për kredi të butë dhe bonus strehimi. Ata kanë kërkuar vlerësim dhe kompensim të shtëpive të tyre.
Protestuesit thanë se, shumica e shtëpive në zonë janë ndërtuar para viteve ’90 dhe se askush përgjatë viteve nuk i kishte informuar për projektet infrastrukturore. Ata pretendojnë se janë lënë qëllimisht jashtë procesit të legalizimit për t’u përjashtuar më pas nga programet e kompensimit të qeverisë.
Unaza e Madhe e Tiranës, një projekt prej disa dekadash llogaritet se kalon nëpër 22 kilometra të jashtme të kryeqytetit, duke nisur nga Dogana, drejt Shkollës Teknologjike, Komunës së Parisit, Liqenit Artificial, atij të Farkës, Shkozë, Babrru, Bregu i Lumit dhe Kthesa e Kamzës.
Në vitin 2016, banorët e Selitës dolën gjithashtu në protestë kundër shembjeve të shtëpive të tyre, duke hedhur të njëjtat akuza ndaj institucioneve për mungesë transparence dhe kompensim të padrejtë.

R.POLISI