Liverpool në krizë, jashtë Kupës

Eliminohet Liverpooli, kualifikohet Leicester. Turi i tretë i Kupës së Ligës në Angli shpërbleu “dhelpërat”, që fituan 2-0 në “King Power Stadium” dhe konfirmuan krizën e rezultateve për skuadrën e Jurgen Klopp. Pavarësisht se Reds ishin disa herë pranë golit në pjesën e parë të lojës, edhe falë paraqitjes së mirë të Coutinhos, balancat ndryshuan me zëvendësimin e yllit brazilian në pushimin e ndeshjes.
Okazaki në të 65-ën dhe Slimani në minutën e 78-të realizuan golat e fitores për Leicester, që në pjesën e dytë ishte skuadra më e mirë në fushë. Humbja e dytë në katër ndeshjet e fundit për Liverpoolin, me presionin që është rritur dhe ku tashmë trajneri Klopp është në qendër të kritikave.
Pas afro dy vjetësh në “Anfield”, ku e ka drejtuar skuadrën në 108 ndeshje në të gjitha aktivitetet, mesatarja e fitoreve të ish-trajnerit të Borussia Dortmund është 50 për qind. Performancat e Liverpoolit me Klopp janë në nivel të barabartë ose edhe më të dobta krahasuar me 11 trajnerët e larguar nga klubet e mëdha të Premier League gjatë dekadës së fundit.
Në ndeshjet e tjera të Kupës së Ligës në Angli, Tottenhami u kualifikua pa probleme përballë Barnsley, me golin e Delle Alli, ndërsa surprizë ishte eliminimi i Stoke City, pas disfatës 2-0 me klubin e Championshipit, Bristol City.