Liga e Kombeve nis pas një viti

Këtë të mërkurë, në Gjenevë, do të nisë zyrtarisht rrugëtimin Liga e Kombeve. Turneu më i ri i UEFA-s starton pas një viti, në shtator 2018 menjëherë pas Kupës së Botës në Rusi. Një aktivitet, i cili nuk rrit numrin e ndeshjeve, por vetëm sa modifikon kalendarin: do të luhen më pak miqësore dhe më tepër sfida që vlejnë tre pikë. Më tepër përballje spektakolare ndërmjet ekipeve të mëdha, ndërsa përfaqësueset e ndryshme europiane do të masin forcat me kundërshtarë të të njëjtit nivel.
Një prej pikave më të rëndësishme është se Liga e Kombeve do të garantojë më tepër të ardhura për federatat kontinentale nëpërmjet të drejtës televizive. UEFA do të prezantojë në Gjenevë mekanizmin kompleks, që do të jetë spektakolar mbi të gjitha në “Final Four”, fazën finale të turneut, ku në qershor të vitit 2019 katër skuadra do të luftojnë për trofeun.
55 përfaqësuese europiane do të ndahen në katër liga, A, B, C dhe D, me turneun që parashikon një sistem ngjitjeje dhe rënie në bazë të renditjes. Në Ligën A do të luajnë 12 skuadrat më të mira, të ndara në katër grupe me tri skuadra.
Në bazë të përllogaritjeve aktuale, Shqipëria e sheh veten në Ligën C mes skuadrave me koeficientin më të lartë, ndërsa duke qenë një përfaqësuese e re Kosova është në fundin e Ligës D. Megjithatë, pozicionimi përfundimtar i skuadrave do të bëhet vetëm në muajin tetor, në bazë të renditjes së UEFA-s.
Liga e Kombeve vlen shumë edhe për kualifikueset e Euro 2020. Dy ekipet e para të secilit grup kualifikohen direkt në fazën finale, për një total prej 20 skuadrash. Katër vendet e mbetura do të përcaktohen me ndeshjet “play off” në mars 2020.
Liga e Kombeve

Liga A
Gjermani
Portugali
Belgjikë
Spanjë
Zvicër
Francë
Angli
Itali
Poloni
Kroaci
Islandë
Uells

Liga B
Rusi
Irlanda e Veriut
Sllovaki
Suedi
Holandë
Ukrainë
Bosnje-Hercegovina
Austri
Turqi
Rep. e Irlandës
Danimarkë
Hungari

Liga C
Slloveni
Shqipëri
Mali i Zi
Serbi
Skoci
Republika Çeke
Rumani
Greqi
Bullgari
Izrael
Norvegji
Qipro
Finlandë
Estoni
Azerbajxhan

Liga D
Lituani
Bjellorusi
Gjeorgji
Armeni
Maqedoni
Ishujt Faroe
Luksemburg
Letoni
Moldavi
Kazakistan
Lihtenshtejn
Andorrë
Maltë
Kosovë
San Marino
Gjibraltar