Lamtumirë Montela!

Humbja në transfertën e Gjenovës kundër Sampdorias mesa duket ka shkaktuar një krisje të pariparueshme mes trajnerit Vincenzo Montela dhe drejtuesve të klubit të Milanit. Administratori i deleguar, Marco Fassone ka drejtuar gishtin e akuzës ndaj trajnerit toskan dhe skuadrës që ai ka ndërtuar, duke theksuar se me këto rezultate zhgënjyese, skuadra nuk do ta arrijë kurrë zonën e Champions League. Merkatoja e paprecedentë tashmë është një kujtim i shkuar sepse lojtarët duhet të tregojnë në fushën e lojës se sa vlejnë dhe mesa duket, Montela nuk ka arritur të marrë më të mirën prej tyre. Kjo ka bërë që të qarkullojnë edhe zërat e parë për emrat e mundshëm që mund të zëvendësojnë trajnerin aktual. Njëri prej tyre është një njohje e vjetër e Milanit, Karlo Ançeloti.
Trajneri aktual i Bayernit të Mynihut nuk po kalon një periudhë pozitive në Bavari dhe nuk do të ishte kundër një rikthimi të mundshëm te skuadra që dashuron. Emri tjetër është Antonio Konte. Timonieri i Chelsea-t në një intervistë dhënë ditët e fundit ka theksuar se futbolli italian dhe vendi i tij i mungojnë shumë. Kaq ka mjaftuar që emri i ish-trajnerit të Juventusit të lakohet në Milanello edhe pse aktualisht është ende herët. Dy ndeshjet kundër Romës dhe Interit do të jenë testet e vërteta të Montelës, i cili duhet të marrë maksimumin nëse dëshiron të vazhdojë projektin e nisur një vit më parë.
Deklaratat e Marco Fassones, menjëherë pas humbjes ndaj Sampdorias mund të lexohen fare qartë. Nuk ishin një shuplakë e mirëfilltë ndaj skuadrës, së cilës i mungoi dëshira dhe dukej e dembelosur, por mund të konsiderohen një paralajmërim i qartë ndaj të gjithëve, me Montelën në krye: nuk mund të tolerohen më gabime të tjera.
Objektivi i deklaruar dhe i detyrueshëm për Milanin, siç është theksuar prej fillimit, është kualifikimi në edicionin e ardhshëm të Champions League. Një objektiv që duket i largët në këto 6 javë kampionati, jo më shumë për sasinë e pikëve, sesa për cilësinë e lojës së shfaqur nga skuadra, por që është drejtpërdrejt i lidhur me rezultatet e sfidave ndaj rivalëve direktë. Kjo sepse merret si i mirëqenë fakti që, në ndeshjet ndaj skuadrave teknikisht dhe teorikisht inferiore, Milani të mos humbasë më pikë.
Pikërisht duke nisur nga Roma, Montela do të luajë një pjesë të rëndësishme të së ardhmes së tij. Deri më tani, askush në radhët e shoqërisë kuqezi nuk e ka përmendur konkretisht zëvendësimin e trajnerit, edhe pse ka disa zëra që flasin për një tentativë ndaj Mazzarrit. Por, nëse humben të tjera pikë ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë për 4 vendet e para, do të shkonte drejt dështimit edhe projekti për rilindjen e Milanit dhe do të bëheshin të pavlera sforcot ekonomike të bëra gjatë merkatos së verës nga pronarët kinezë.