Kush qëndron pas trafikut të 2.3 tonëve të drogës në Itali?

 

Shqiptari i arrestuar në Itali gjatë një operacioni të Guardia di Finanza-s, ku u sekuestruan 2.3 tonë marijuanë që vinte nga Shqipëria, ka kyçur gojën para gjykatës italiane. Mediat italiane raportonin dje se, shqiptari me iniciale K.D., 24 vjeç, dhe italiani Andrea Reccia, 63 vjeç (i arrestuar gjithashtu gjatë operacionit) nuk kanë folur para gjykatëses së Ascoli Piceno, Rita De Angelis. Për të dy, gjykata vendosi që të qëndrojnë në burg për arsye hetimore.
Gjatë natës duke u gdhirë e shtunë, në San Benedetto në Tronto, u kap sasia e konsiderueshme e drogës që sipas zv/prokurores të Ascoli Pieno, ishte nisur nga Shqipëria, raportuan mediat italiane.
Droga e nisur nga Shqipëria dhe e mbërritur natën në Itali, mësohet se ishte shkarkuar në deltën e lumit Tronto dhe më pas e ngarkuar në një furgon. Policia kishte marrë informacione për këtë ngarkesë droge dhe i ka bërë pritë furgonit, ku udhëtonin edhe të arrestuarit.
Brenda mjetit janë gjetur 40 pako me kanabis sativa. Më pas, motovedetat e Guardia Di Financës të nisura nga Ancona dhe Tronto kanë gjetur në det edhe 73 pako të tjera me kanabis që ishin hedhur nga trafikantët.
Gomonia e drogës ishte larguar me shpejtësi dhe italianët e kanë ndjekur deri në kufirin e ujëra territoriale kroate, ku edhe kanë ndërprerë ndjekjen. Pranë vendit ku ishte shkarkuar droga janë gjetur edhe 25 bidona benzinë për të furnizuar gomonen.