Krimi me koncesionin në Theth

420

Projekti i debatuar për ndërtimin e një hidrocentrali mbi lumin Shalë, në zonën e Thethit, i është dhënë me koncesion një kompanie, e cila është aktualisht nën gjykim për shkelje ligjore në një tjetër koncesion hidrocentrali.
Koncesioni 35-vjeçar për hidrocentralin e Shalës iu dha para pak ditësh nga qeveria bashkimit të kompanive Çinar-San Hafriyat Nakliyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret LTD.STI, Shala Energy PLC dhe Falak Properties LLC. Ky bashkim ka qenë i vetmi subjekt që ka marrë pjesë në tender dhe fitorja ka qenë automatike.
Sipas vendimit të koncesionit, ndërtimi i hidrocentralit duhet të bëhet brenda 36 muajve dhe do të kushtojë rreth 84,5 milionë euro.
I gjithë koncesioni ngre dy probleme serioze, shkatërrimin e pasurive natyrore të vendit dhe dyshime për korrupsion.

Shkatërrimi i bukurive të Thethit

Ndërtimi i një hidrocentrali në Shalë është në vetvete një politikë shkatërruese ndaj natyrës dhe turizmit. Zona e Thethit është një nga bukuritë më të rëndësishme natyrore të vendit dhe zona kryesore turistike malore në vend. Hidrocentrali, nëse do të ndërtohet, do të rrezikojë natyrën e Thethit, veçanërisht lumin Shalë, i cili përshkon Thethin dhe është një ndër tërheqjet kryesore të tij.

Lumi i Shalës

Në një sqarim për qytetarët, Ministria e Energjisë sqaron se është patur parasysh gjatë hartimit të projektit që të mos ketë ndërhyrje në zonat e mbrojtura në Alpet e Veriut dhe ndikimi i hidrocentralit në mjedis të jetë minimal.
Por ekspertët mjedisorë mendojnë të kundërtën. Mark Rupa, ekspert mjedisor, është shprehur për një televizion lokal se “ndërtimi i një hidrocentrali në lumin e Shalës do të ishte vdekjeprurës për këtë perlë të natyrës, e cila së fundmi ishte shndërruar në një ndër destinacionet e preferuara turistike”.
Zoti Rupa sqaroi se, “ka mbi dy vjet që projekti për zhvillimin e qëndrueshëm të Parkut Kombëtar të Thethit rri pezull në ministri dhe kjo lë vend për aludime”.
Vitet e fundit, veriu i Shqipërisë janë kthyer në destinacione të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj, në mënyrë të veçantë Lugina e Valbonës dhe zona e Thethit.
Në Valbonë është miratuar ndërtimi i 11 hidrocentraleve dhe ka filluar ndërtimi i tre prej tyre. Bashkë me to ka filluar dhe shkatërrimi i Parkut Kombëtar të Valbonës.
Duket se e njëjta e ardhme pret dhe Thethin e lumin e Shalës. Përveç shkatërrimit të florës e faunës, ndërtimi i hidrocentralit në lumin Shalë do të thotë dhe humbja e bizneseve dhe të ardhurave për familjet e Thethit që prej vitesh kanë investuar në aktivitete lidhur me turizmin.

Dyshime për korrupsion

Së dyti, dhënie e koncesionit kësaj kompanie ngre dyshime korruptive, jo vetëm për mënyrën e zhvillimit të tenderit me vetëm një ofertë, por edhe për kompaninë që u paraqit dhe fitoi.
Kompania turke Çinar është aktualisht nën gjykim gjyqësor për falsifikime apo shkelje ligjore në lidhje me një tjetër hidrocentral të marrë me koncesion, por duket se ky fakt ka qenë i parëndësishëm për qeverinë dhe nuk ka penguar dhënien e një tjetër koncesioni të debatueshëm hidrocentrali.
Ndonëse ajo është një kompani pa përvojë në fushën e hidrocentraleve e energjisë dhe me kapacitete modeste, asaj iu dha koncesioni për ndërtimin e hidrocentralit të debatuar të Poçemit mbi lumin Vjosë.
Por ndërtimi është pezulluar nga Gjykata Administrative për parregullsi në dokumente. Gjykata ka zbuluar mangësi dhe shkelje ligjore në deklaratat mjedisore të nevojshme për të hartuar Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM). Kompania nuk ka bërë studime në terren pranit lumit Vjosë dhe nuk ka paraqitur asnjë vlerësim për ndikimin që mund të kishte ndërtimi në florën dhe faunën apo në ujërat nëntokësorë, të cilët janë elementë të domosdoshëm të çdo VNM. Gjykata pritet të japë një gjykim përfundimtar së shpejti.
Ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit ngjalli kundërshti të madhe publike në Shqipëri dhe në Europë, pasi ai do të dëmtojë lumin Vjosë, i cili është i vetmi lumë që ka mbetur “i egër” në Europë, pra nuk e ka ndryshuar kurrë rrjedhën e tij natyrore dhe si i tillë ndër të tjera mbart interesa të mëdha studimore dhe turistike.

Sukseset imagjinare të Ramës në turizëm

Paaftësia në kuptimin e numrave, tipike për ata që lexojnë vetëm titujt dhe ngutja për të lajmëruar sa më parë sukseset bombastike të qeverisë së tij, e kanë çuar Kryeministrin Rama në gabimin e zakonshëm të vetëlëvdimit, që u konkretizua në një postim propagandistik në Facebook.
Kryeministri lajmëroi se sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror mbi Konkurrueshmërinë Globale të Udhëtimit dhe Turizmit, Shqipëria ka fituar tetë vende duke u renditur në vendin e 98 nga 136, në krahasim me vitin 2015 ku renditej e 106 nga 141 vende dhe ka fituar 25 vende në zërin e sigurisë.
Por një lexim më i kujdesshëm i raportit zbulon se janë analizuar 14 argumente specifikë, të cilët përbëjnë indeksin global për turizmin, një ndër to, ku Shqipëria renditet më mirë, është ai për Sigurinë dhe ai për Burimet Njerëzore dhe Tregun e Punës, kjo e fundit sigurisht e ndihmuar nga vendi i parë i Shqipërisë në nënklasifikimin kushtuar Lehtësisë në Punësimin e Punëtorëve të Huaj.
Kapitulli i Sigurisë, në të cilin Shqipëria renditet këtë vit në vendin e 45-të me një përmirësim prej 25 vendesh në krahasim me vitin 2015, është arritur duke ponderuar 5 indikatorë të ndryshëm, nga të cilët tre të parët janë nxjerrë në bazë të sondazheve në vend:
Shpeshtësia e Krimit në Kostot e Biznesit në të cilin Shqipëria klasifikohet në vendin e 69-të njësoj me Gjermaninë.
Besueshmëria e Policisë në Zbatimin e Ligjit në të cilin Shqipëria renditet në vendin e 45-të, duke lënë pas 11 vendet e BE-së ndër to edhe Italinë -i cili është vendi që furnizon policinë e papajisur shqiptare me teknikë dhe asistencë teknike për luftimin e krimit.
Shpeshtësia e Terrorizmit në Kostot e Biznesit në të cilin Shqipëria renditet në vendin e 56-të.
Numri i Sulmeve Terroriste dhe Humbjet në Njerëz të Shkaktuar prej Tyre, në të cilin Shqipëria renditet në vendin e 68-të, çuditërisht pas vendeve si Belgjika, Norvegjia apo Mauritania në të cilin kanë ndodhur raste të shumta dhe të dukshme të sulmeve terroriste dhe përpara vendeve si Italia, Finlanda, Australia, Kanadaja dhe Republika Çeke ku nuk janë regjistruar sulme apo humbje jete nga akte terroriste.
Shpeshtësia e Vrasjeve në të cilin Shqipëria u rendit në vendin e 79-të -në rënie në krahasim me një vit më parë.
Përtej besueshmërisë së ulët të të dhënave të përshkruara më sipër, në mënyrë të çuditshme rezulton se renditja e treguesit të përbërë nga 5 nëntreguesit e veçantë është e njëjtë me renditjen e treguesit më të mirë përbërës, çfarë është në kufijtë e logjikës së pranueshme dhe matematikës, cilatdo qofshin“peshat” e përdorura për ponderimin.
Përsa i përket kapitujve të tjerë, Shqipëria renditet shumë më ulët. Për shembull në Hapjen Ndërkombëtare është në vendin 107, Klima e Biznesit në vendin 109, Infrastruktura dhe Aeroportet në vendin 109, Burimet Natyrore në vendin 123, Burimet Kulturore dhe Udhëtimet e Biznesit në vendin 131.
Çuditërisht në kundërshti me atë që gjithmonë ka deklaruar qeveria shqiptare, në këtë raport Shqipëria renditet në vendin e 2 për leverdisshmërinë e tarifave të aeroportit, duke u renditur si më ekonomikja ndër vendet e rajonit me përjashtim të Greqisë!