KE kundër shkatërrimit të Vjosës

Komisioni Europian është shprehur kundër ndërtimit të një hidrocentrali mbi lumin Vjosa. Eurodeputetja Ulrike Lunaçek tha pak kohë më parë se, qeveria shqiptare duhet bindur që shkatërrimi i lumit Vjosa do t’i kushtojë shtrenjtë Shqipërisë. Rreziku i shkatërrimit të lumit Vjosa përmes projektit të Poçemit është sjellë në qendër të vëmendjes së Parlamentit dhe Komisionit Europian gjatë konferencës të organizuar nga zëvendëspresidentja e grupimit të gjelbër të Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek me titull “Lumenjtë e Ballkanit, një trashëgimi natyrore europiane në rrezik”. Pas një amendamenti të veçantë në rezolutën e Knut Fleckenstein të 14 prillit 2016 për mbrojtjen e Vjosës si park kombëtar, ndërhyrjes së eurodeputetes Ulrike Lunaçek në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian dhe pranë autoriteteve shqiptare pas lundrimit që vetë Lunaçek ka kryer mbi lumin Vjosa, ku është njohur me vlerat e mëdha të biodiversitetit, ekoturizmit dhe historisë së zonës përreth lumit, këtë radhë rreziku i shkatërrimit të Vjosës i paraqitet si shqetësim i veçantë edhe Komisionit Europian. “Është e rëndësishme të bindim qeverinë shqiptare, që i gjithë lumi Vjosa mund të ruhet pa ndërtuar hidrocentrale dhe se Shqipëria mund të ketë energjinë e nevojshme edhe pa këto hidrocentrale. Ka alternativa të tjera, ka zgjidhje të tjera. Ka kaq shumë persona që dëshirojnë të bëjnë kajak dhe shëtitje në ato dy kilometra përgjatë Vjosës me një ujë të një cilësie shumë të lartë. Vullneti politik duhet të vijë nga nivele të ndryshme, nga Komisioni Europian që është prezent këtu dhe nga shtetet anëtare. Por problemi që kemi shtruar në rastin e Vjosës, është që koncesioni i është dhënë Turqisë. Turqia nuk është shtet anëtar. Ne kërkojmë studim shkencor nga ekspertë të pavarur për impaktin mjedisor që ka ky projekt në përputhje me standardet europiane. Ne frikësohemi që studimi që pritet të bëhet nga pala turke brenda dhjetë muajsh nuk do të jetë një studim thelbësor në përputhje me rregullat europiane që Shqipëria duhet të përmbushë gjatë negociatave të anëtarësimit”.