Kasaphana e betonit në Tiranë me 49 kulla

Artan Dulaku rezulton të jetë në top listën e miliarderëve shqiptarë. E gjithë pasuria e tij, e ngritur me një shpejtësi marramendëse, i atribuohet miqësisë së tij të ngushtë me Edi Ramën, sot Kryeministër dhe pak vite më parë, kryebashkiak i Tiranës për tri mandate rresht.
Çdo sipërfaqe toke në Tiranë është shndërruar në një plan të mirëfilltë biznes-betoni, ku Rama përmes Veliajt ua ndan si plaçkë ortakëve pranë tij, e më pas ndajnë fitimet marramendëse bashkë. Pas projekteve të ndërtimit të kullave në mes të Tiranës, zhdukjes së parqeve të pakta të blerta në kryeqytet dhe trefishimit të lejeve të ndërtimit për klientelën, një projekt gjigant për nga përmasat ka marrë formë me firmë dhe vulë në letër: Ndërtimi i një qyteti të tërë brenda Tiranës! Për ta zbukuruar dhe shitur përpara opinionit publik, Veliaj e ka pagëzuar edhe me një term të huaj- “Festival City” (Qyteti i Festivalit).
Festival City është projekti më i fundit në sektorin e banesave në Tiranë, ndoshta më i madhi i këtyre viteve që Rama i ka dhuruar pikërisht Dulakut. Kompania e ortakut të ngushtë të Ramës, Artan Dulaku, “Edil-Al” ka njoftuar projektin që parashikon ndërtimin e 49 kullave shumëkatëshe. Kompleksi i banimit është konceptuar si një qytet më vetë dhe do të nisë të ndërtohet në vitin 2019. Nga hapësira që zë, projekti është konceptuar si një qytet brenda qytetit, me hapësira për banim, qendër tregtare, hotel, shkolla, kinema, parqe, fusha sporti, hipermarket, kafene, restorante dhe një shumëllojshmëri shërbimesh të tjera.
Ndërtimi shtrihet në katër faza, në një sipërfaqe 673,500 metër katrorë dhe do të administrohet nga vetë shoqëria, raporton “Monitor”. Ndërkohë komplekse të reja banimi kanë nisur dhe janë në nisje në Tiranë. Të paktën pesë të tilla po ndërtohen në pjesën qendrore dhe veriore të Tiranës. Blloqet e reja të banimit, “SiRI”, “Turdiu”, “Fiori Di Bosko” dhe “Square 21” janë në hapje të themeleve. Pallate të veçanta po ndërtohen sakaq në të gjithë Tiranën.
Kompania “Edil-Al” ka njoftuar këtë vit të paktën 6 projekte të mëdha, dy prej të cilëve kanë nisur punën. Pas flluskës që sektori përjetoi në vitin 2008, likuiditetet e lira në ekonomi po orientohen sërish nga sektori i ndërtimit, kryesisht në Tiranë dhe në bregdet.
Të gjitha këto projekte i jepen në një dorë të vetme ortakut të Ramës.
Dulaku është i njohur si një mik i ngushtë i Ramës dhe si një prej sponsorëve kryesorë të fushatave elektorale të Partisë Socialiste. Biznesi fillestar i Dulakut ka qenë ndërtimi. Dulaku mori shumë leje ndërtimi nga Edi Rama, për një total prej 143 000 m2 –një pjesë në mënyrë të paligjshme. Dulaku është aktualisht shqiptari i dytë më i pasur me një pasuri prej rreth 700 milionë eurosh. Ai është ortak në kompani të shumta: Concord Investment (ndërtim), INER (tregti), Inter Gaz (tregti gazi, nafte dhe produkte të naftës), Alissa Albania (ndërtim dhe prodhim e tregtim të materialeve të ndërtimit), ASC Tring (media), Vizion Media (Vizion Plus, kanali satelitor kombëtar), Illyria Development (imobiliare), Alba Beton dhe Alb –Beton 5 (ndërtim, imobiliare), Euro Additive (prodhim, blerje, tregtim të materialeve kimike) etj.
Por krahas këtyre projekteve shfarosëse për mjedisin në kryeqytet, edhe katër projekte të mëdha me kulla mbi 30 kate janë lajmëruar të nisin që nga viti tjetër. Në mes tyre është edhe një kontratë investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor investment LLC”, kurse projekti “Kulla ikonike e Tiranës”. Por nga ana tjetër të dhënat demografike e bëjnë të zymtë perspektivën afatgjatë të Shqipërisë në drejtim të konsumit apo tregut të pasurive të paluajtshme. Kjo nuk i ka penguar sipërmarrësit të rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës, duke rrezikuar krijimin e një mbioferte në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare. Ndërtuesit e përfshirë në këto projekte janë të ekspozuar ndaj humbjes, por ndërkohë askush nga institucionet përgjegjëse nuk po i orienton ato drejt një modeli ekonomik të qëndrueshëm.