Kapen në Greqi 211 kg drogë nga Shqipëria

Një sasi e madhe droge nga Shqipëria është kapur në tre operacione të policisë greke ditën e djeshme. Bëhet fjalë për 211 kg drogë të sekuestruar. Në operacionin e parë që u zhvillua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Eklisohori të Igumenicës u sekuestruan 108 kg marijuanë. Antidroga e Igumenicës në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Filatit, ndaluan një mjet që vinte nga kufiri i gjelbërt, në të cilin u gjetën dhe sekuestruan 12 pako të mëdha me 107 kg 850 gram marijuanë. Sakaq, në pranga ra shoferi 42 vjeç dhe pasagjeri 30 vjeç, për të cilët ende nuk thuhet nëse janë shqiptarë apo grekë.
Dy shtetas grekë janë arrestuar paraditen e të enjtes në vendin e quajtur Eklisohori, në afërsi të kufirit me Shqipërinë. Të dy ata, të moshës 42 dhe 31 vjeç u ndaluan ndërsa po lëviznin me makinë pranë rrugës nacionale Janinë-Igumenicë. Nga kontrolli u gjetën 12 paketa me kanabis, me peshë të përgjithshme 107,850 kilogramë.
Nga hetimet e para rezultoi se ata e kishin marrë drogën në dorëzim në afërsi të kufirit të gjelbërt, nga persona që e kishin sjellë nga toka shqiptare. Policia sekuestroi në cilësinë e provës drogën, si dhe automjetin që ishte në pronësi të 42-vjeçarit. Të dy ata u përcollën në Prokurorinë e Igumenicës, të akuzuar për transport dhe posedim droge me qëllim trafikimin.
Në një tjetër operacion, u ndoq një mjet që vinte nga kufiri dhe u ndalua në Ionia Odo. Në mjet u gjetën dhe sekuestruan 52 kg marijuanë. Për këtë rast, u arrestuan dy shqiptarë, 36 dhe 41 vjeç, rapojnë mediat helene.
Në operacionin e tretë, u ndoq një mjet që vinte nga kufiri dhe u kap në vendin e quajtur Amfithea. Në mjet u gjetën dhe sekuestruan 51 kg marijuanë. Në pranga një grek 47 vjeç dhe një shtetase gjeorgjiane 31 vjeçe. Kujtojmë që në mëngjes në Igumenicë u kapën 108 kg marijuanë që vinin nga Shqipëria.
Po ashtu ditën e djeshme u sekuestrua një sasi prej 25 kg e 230 gr marijuanë gjatë një operacioni antidrogë në Lezhë. Në pranga ka rënë Ilir Markvukaj 41 vjeç, banues në Lezhë, i dyshuar si drejtuesi i këtij rrjeti të trafikimit të lëndës narkotike drejt shtetit të Kosovës. Policia arrestoi gjithashtu 2 transportuesit e drogës, Besim Gashi 47 vjeç dhe Sami Vatija 41 vjeç, të dy banues në Kosovë. Ndërkohë është shpallur në kërkim e punohet për kapjen e shtetasit D.M 49 vjeç, banues në Lezhë, pronar i servisit ku ishte përgatitur dhe paketuar lënda narkotike.