INSTAT: 90% e punonjësve të pakënaqur me pagat

INSTAT për herë të parë realizoi gjatë vitit 2016, Anketën e Kënaqësisë së Punonjësve. Burimet zyrtare të institucionit pohuan se, kjo anketë pati si objektiv kryesor analizimin e qëndrimeve dhe perceptimeve të stafit të INSTAT, si dhe identifikimin e çështjeve, të cilat kërkojnë vëmendje për t’u zgjidhur në vitet në vazhdim.
Cilësia e statistikave zyrtare të prodhuara apo kënaqësia e përdoruesve të INSTAT, lidhet drejtpërdrejtë me motivimin dhe profesionalizmin e punonjësve. Punonjësit e INSTAT kanë shprehur vlerësim pozitiv për punën që kryejnë, por pothuajse të gjithë punonjësit, rreth 90,65% mendojnë se paga e tyre nuk është e përshtatshme për punën që ata realizojnë.
Niveli i kënaqësisë së punonjësve në INSTAT është mesatarisht rreth 3,53 ose i shprehur në përqindje rreth 70,6%. Ky indikator është matur në shkallën nga 1 deri në 5.
Niveli i kënaqësisë së punonjësve sipas grupmoshës është më i lartë për punonjësit mbi 50 vjeç, ndërsa punonjësit nga 30-49 vjeç janë punonjësit më të pakënaqur. Punonjësit e INSTAT janë më të kënaqur lidhur me marrëdhëniet me eprorët, natyrën e punës, si dhe perceptimin e imazhit.
Në fund të vitit 2016, INSTAT kishte 199 punonjës në total ndaj 216 pozicioneve të strukturës. Ndër ta, 161 janë punonjës civilë nga të cilët 5 në periudhë prove dhe 156 punonjës me status të nëpunësit civil. Stafi i INSTAT-it përbëhet kryesisht nga gjinia femërore. Megjithë ndryshimet që solli struktura organizative e vitit 2015, përqindja e vendit që zënë femrat është 72% kundrejt meshkujve me 28%.
Modeli për krijimin e indikatorit të nivelit të kënaqësisë së punonjësve është ndërtuar sipas AmericanCustomerSatisfactionIndex (ACSI) dhe mori në konsideratë këto faktorë: Ambientet e punës, natyrën e punës, marrëdhënien me koleget, marrëdhënien me eprorët, informimin mbi ngjarjet e ndryshme, perceptimin e imazhit. Avantazhi i përdorimit të ACSI është se ky model është i përshtatur për të matur nivelin e kënaqësisë në sektorin publik. Shkalla e përgjigjes, e llogaritur si raport i numrit të punonjësve që kanë plotësuar anketën ndaj numrit të punonjësve që ka aktualisht INSTAT, shprehur në përqindje rezultoi 86,3 për qind.