Ikjet masive nuk ndalen, edhe farmacistët largohen nga Shqipëria

Cassetti contenenti farmaci all'interno di una farmacia a Roma, in una immagine di archivio. ANSA/VIRGINIA FARNETI

Largimi i punonjësve të shëndetësisë drejt vendeve të tjera duket se është kthyer në trend vitet e fundit. Kështu pas largimeve të shumta të mjekëve dhe të infermierëve, kategoria tjetër që largohet është ajo e farmacistëve. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 janë regjistruar mbi 30 aplikime për largim nga vendi. Këtë fakt e ka bërë publik, presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma.
“Më 2015-2016 ka qenë më i vogël si numër, por vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2017 kemi plotësuar mbi 30 aplikime. Nuk do të thotë që janë vetëm 30 persona, janë raste kur këta profesionistë janë futur tashmë tentativave për të gjetur veten profesionalisht në vendet që kanë vajtur”. Sipas Tomës janë një sërë faktorësh që i detyrojnë këta profesionistë që të braktisin vendin e tyre. Ulja e marzhit të barnave, si dhe një sërë faktorësh ligjorë kanë sjellë prekjen edhe të sektorit farmaceutik nga largimet në masë të profesionistëve.
“Trajtimi mbi politikat sesi dhe sa duhet vlerësuar përcaktohet te marzhet. Nuk ke një vlerë monetare që buxhetohet nga shteti, por që indirekt rrjedh nga marzhet e tregtimit. Uroj që kjo dëshirë për të vlerësuar saktë profesionistët e shëndetësisë të mos fokusohet në këto dy kategori, pra mjek dhe infermierë, të cilët e meritojnë, por të shtrihet në tërë punonjësit e shëndetësisë, pasi sistemi farmaceutik përjeton si problematik mosvlerësimin profesional si sektorët e tjerë të shëndetësisë”. Në vendin tonë edhe pse funksionimi i tregut farmaceutik është i sanksionuar me ligj ka ende problem pasi nuk ka rregullore për tregun e hapur farmaceutik, si dhe për atë spitalor.
Një fushatë rekrutimi për 49 infermierë dhe 1 mjek infeksionist është njoftuar, nga Qendra Spitalore dhe Universitare “Nënë Tereza”, duke nxjerrë në pah nevojat e shërbimit shëndetësor për të mbushur vendet e mbetura vakante. Emigrimi i bluzave të bardha drejt vendeve të BE-së, vijon të mbetet i lartë. Kjo konfirmohet edhe nga Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj.
E për pasojë nevoja për mjekë dhe specialistë është emergjente. “Pak a shumë me të njëjtat ritme si vitet e kaluara, viti i kaluar u mbyll me 145 mjekë të larguar dhe deri tani për këtë vit kanë marrë çertifikatën për sjellje të mirë 125 mjekë”, shprehet Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj. Brahimaj shpjegon shkaqet e emigrimit të mjekëve shqiptarë. “Si gjithë të tjerët shkojnë për një jetë më të mirë, kjo është përgjigjja e parë që na japin. Me shpresën që në vendin ku do të shkojnë do të gjejnë vlerësim më të mirë moral dhe material, do të gjejnë mundësi të rritjes në karrierën profesionale, kushte dhe teknologji për të bërë mjekësi bashkëkohore, po ashtu mendojnë se janë më të mbrojtur”, përfundon Brahimaj.