Gramsh, tenton të vrasë me armë një shtetas, arrestohet

Një 51-vjeçar është arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi ka tentuar të vrasë me armë gjahu një shtetas. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Taragjin, ndërsa në pranga ka rënë Luan Taragjini, banues në fshatin Grabovë.
Sipas policisë “më datë 21.09.2017 në orët e para të mëngjesit, në fshatin Taragjin, Njësia Administartive Lenie Gramsh, dyshohet të ketë tentuar të vrasë me armë gjahu shtetasin L.T., 60 vjeç banues në fshatin Grabovë Gramsh”.
Shtetasi L.T është dërguar menjëherë në Spitalin e Gramshit, ka marrë dëmtime në krahun e djathtë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit të banesës, grupi hetimor, i ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 copë fishekë armë gjahu.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi L.T, në orët e para të mëngjesit të datës 21.09.2017 kishte dalë nga shtëpia dhe ishte nisur për të shkuar në Korçë. Pasi ka ecur 10 min në këmbë, në fshatin Taragjin dyshohet të jetë qëlluar me armë gjahu nga shtetasi i arrestuar nga ana e policisë si autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Policia vijon punën për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.