Fotot e Enver Hoxhës në ceremoninë e Pezës, provokim brutal i Ramës

Partia Demokratike ka reaguar me anë të nënkryetarit, Enkelejd Alibeaj, për fotot e Enver Hoxhës që u shfaqën gjatë ceremonisë së 75-vjetorit të Konferencës së Pezës. Veteranët dhe përfaqësuesit e Partisë Komuniste u shfaqën me pankarta e foto të diktatorit Hoxha në ceremoninë e organizuar në Pezë, me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Pezës. Ata u shfaqën të pashqetësuar, ndonëse në ceremoni kishte pasur përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor. Me bekimin e plotë të Ramës, nostalgjikët e diktaturës jo vetëm që nuk u penguan në qetësinë e tyre duke ngritur lavde për diktatorin, por askush nuk ndërhyri as kur në mënyrë të turpshme portretin e diktatorit ua kishin dhënë ta mbanin në duar edhe disa fëmijëve, të cilët me siguri as që e kishin idenë se portreti i kujt ishte ai. Alibeaj e konsideron këtë veprim provokim brutal të Edi Ramës për ringjalljen e komunizmit në Shqipëri. Sipas Albieajt, Rama po përpiqet që nëpërmjet brezit të ri, të riinstalojë komunizmin në vend. “Provokimet e turpshme dhe brutale të Edi Ramës për ringjalljen e komunizmit nuk kanë të sosur! Sot, në Pezë, iu shfaqi shqiptarëve pankartat me foto të Enver Hoxhës, para të cilave parakalojnë, me përulje dhe adhurim, qeveritarët, deputetët e tij dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor. E bëri këtë pasi ministrin e Brendshëm dhe të Sigurimit të Shtetit e emëroi kryeparlamentar! Hetuesin e zellshëm të agjitacionit dhe propagandës komuniste e emëroi ministër të Brendshëm! Mbushi radhët e qeverisë me pinjollë të nomenklaturës së lartë komuniste. Shembi dhunshëm kullën e simbolit antikomunist Prek Cali. Pankartat e diktatorit qëllimisht ia vuri në dorë fëmijëve. Duke filluar te ata, kërkon të ringjallë dhe të riinstalojë komunizmin, pushtetin gjakatar të etërve të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Për ata që nuk kanë parë ende, asgjë akoma, sot kanë mundësinë të hapin sytë fort dhe të kuptojnë, tek ato pankarta, fytyrën e vërtetë të Edi Ramës”, thuhet në deklaratën e Alibeajt.