Eurodeputeti: Droga ka qenë kusht i BE, nuk është shtuar

Brukseli i ka sqaruar edhe një herë tjetër qeverisë se, lufta ndaj drogës dhe krimit të organizuar kanë qenë kushte nga Bashkimi Europian dhe nuk janë shtuar tani. Eurodeputeti ka përsëritur qëndrimin e Brukselit, të cilin Rama nuk ka dashur ta njohë përgjatë vitit të kaluar, ku i kërkonte Tiranës zyrtare luftën ndaj drogës si kusht të BE.
Eurodeputeti Knut Fleckenstein i rikujtoi sërish qeverisë Rama se zbatimi i plotë i reformave dhe plotësimi i pesë kushteve, përfshi luftën ndaj krimit dhe kanabisit, janë thelbësore për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në përfundim të vizitës dyditore, eurodeputeti sqaroi se BE nuk i ka vënë asnjë kusht shtesë Shqipërisë, përveç kushteve që janë miratuar nga PE: lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër drogës, dekriminalizimi, zbatimin e reformës në drejtësi dhe zgjedhjet e lira:
“Unë nuk shoh ndonjë kusht shtesë. Ne gjithnjë kemi folur në lidhje me zgjedhjet dhe pesë prioritetet kyçe dhe faktin se ato duhet të zbatohen”.
Zoti Fleckenstein theksoi në mënyrë të veçantë si “çështje vërtet serioze” situatën e kanabisit në Shqipëri:
“Do të presim raportin që do të na sjellin kolegët tanë italianë që kanë fluturimet që bëjnë mbi Shqipërinë dhe do të na tregojnë se cila është situata në vend.
Por është vërtet çështje serioze dhe ajo që duam të shikojmë ne [BE] është jo vetëm vullneti i mirë sa i përket kësaj çështjeje, por edhe që vërtet do të bëhet punë për të pasur një situatë më të mirë në të ardhmen”.
Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërnë në Parlamentin Evropian, shprehu mbështetjen për qeverinë në vazhdimin e reformave, por theksoi se ai dhe kolegët e tij në PE nuk e kanë në dorë vendimin për hapjen e negociatave:
“Përgjegjësia për marrjen e vendimit për çeljen e negociatave është e Këshillit dhe jo e Parlamentit Europian. Unë dëshiroj të konfirmoj se PE do të vazhdojë të inkurajojë Komisionin Europian apo Këshillin në mënyrë që negociatat me Shqipërinë të çelen gjysmën e parë të vitit tjetër që vjen, gjithmonë, nëse Shqipëria vazhdon me reformat”.
Me anë të këtyre deklaratave, eurodeputeti Fleckenstein duket se ka sqaruar dhe Kryeministrin Rama, për të cilin “lufta ndaj krimit të organizuar” është një kusht që BE e ka vënë vetëm së fundmi ndaj Shqipërisë, si mënyrë për të shtyrë sa më shumë integrimin e vendit në BE.

Fleckeinstein tek Xhafa për drogën

Gjatë vizitës në Tiranë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein ka zhvilluar një takim me kreun e Ministrisë së Brendshme, Fatmir Xhafaj, të cilit i ka shprehur shqetësimin në lidhje me prodhimin dhe trafikun e lëndëve narkotike në Shqipëri. Zyrtari i lartë i PE-së shfaqi interes të posaçëm lidhur me procesin e Vetting-ut dhe rezultatet konkrete në luftën kundër kanabisit. Fleckenstein vlerësoi faktin që EUROPOL-i do të sjellë ekspertë në Shqipëri për të bashkërenduar punën mes Tiranës dhe Brukselit, në luftën kundër krimit të organizuar. Ai shprehu angazhimin për t’i kërkuar Komisionit Europian një mbështetje më të madhe, me fokus në prioritetet e prezantuara.

Basha me eurodeputetin: Fati i qeverisë i lidhur me fatin e krimit të organizuar

Kryetari i Partisë Demokratike priti në një takim raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputetin Knut Flekenstein. Ai ndau me të shqetësimet e aktualitetit politik dhe të situatës postzgjedhore në Shqipëri. Ai i tha eurodeputetit se këto zgjedhje treguan se kauzat e opozitës për dekriminalizimin, kundër drogës dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë kauzat më jetike sot për vendin. “Me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, eurodeputetin Knut Flekenstein, ndava shqetësimet e aktualitetit politik dhe të situatës postzgjedhore në Shqipëri. Këto zgjedhje treguan se kauzat tona për dekriminalizimin, kundër drogës dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë kauzat më jetike sot për vendin. Vura në dukje faktin se tashmë janë edhe shtetet anëtare të BE, institucionet e BE, por edhe Europoli, që po evidentojnë me forcë problemin e kultivimit dhe trafiqeve të drogës në Shqipëri dhe rritjen e krimit të organizuar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të BE. PD ka bërë një luftë të hapur ndaj kanabizimit të Shqipërisë për katër vitet e fundit dhe situata nuk do të ishte e tillë sot, nëse do të kishte patur më shumë vëmendje dhe qëndrime të qarta nga institucionet ndërkombëtare. Fatkeqësisht sot, raporte të tilla kanë nxitur diskutimin e regjimit të vizave për shqiptarët”, tha Basha në një prononcim për mediat pas takimit. Basha theksoi se përfshirja nga ana e qeverisë me eksponentë të krimit të organizuar dhe pushteti i dhënë ndaj tyre për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal si trafikun e drogave, e ka lidhur fatin e qeverisë dhe mazhorancës me këta faktorë dhe jo me fatin e qytetarëve. “Angazhimi nga ana e qeverisë e eksponentëve të krimit të organizuar, mbështetja e tyre për t’u përfshirë në politikë dhe për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal si trafikun e drogave, e ka lidhur fatin e qeverisë dhe mazhorancës me këta faktorë dhe jo me fatin e qytetarëve. Zgjedhjet e fundit e provuan përsëri këtë gjë, ku përfshirja e krimit të organizuar dhe parave të drogës, prodhoi një mazhorancë fiktive që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Reforma zgjedhore është hapi i parë për adresimin e disa prej këtyre problemeve, në veçanti përmes votimit dhe numërimit elektronik dhe identifikimit biometrik të zgjedhësve. Këto ndryshime janë thelbësore për fatin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe minimizimin e fenomenit të shitblerjes së votës”, u shpreh kreu i PD. “Po kështu, duhet reformë e sistemit politik në Shqipëri, për të kufizuar dhe kontrolluar pushtetin, duke nisur me një Parlament që nuk është thjesht vegël e qeverisë, por mbikëqyrës dhe kontrollues i saj. Vetëm zgjedhjet e lira mund të rikthejnë besimin dhe shpresën dhe të ndalin eksodin e shqiptarëve që largohen drejt Bashkimit Europian, sepse u mohohet e drejta për ndryshim përmes votës në vendin e tyre”, tha Basha pas takimit me Fleckeinstein.