Enis Bardhi: Doja të luaja për Shqipërinë

 

Enis Bardhi ka tërhequr vëmendjen e publikut pas suksesit të arritur me kalimin e tij tek Levante dhe paraqitjet mbresëlënëse në La Liga. Një emër dhe mbiemër shqiptar, por që fatkeqësisht nuk luan për ngjyrat kuqezi. Pak ditë më parë në Strumicë ai ishte kundërshtari ynë duke mbrojtur ngjyrat e Maqedonisë.
Për herë të parë Enis Bardhi shprehet për një media shqiptare dhe këtë e bën në zona gol, duke treguar dëshirën e madhe për të qenë kuqezi, por edhe arsyen përse nuk bëri zgjedhjen e zemrës.
“Kam pas ëndërr të luaj për Shqipërinë. Dikush më tha se duhet të vij në Shqipëri për t’u provuar nga trajneri Redi Jupi. Menaxheri im që ka luajtur me të tek Dinamo e Tiranës i kërkoi një takim, por pa mundur të marrë përgjigje. Nuk besoj që ka shqiptar nga Shkupi që të mos luajë për Shqipërinë. Ka qenë një sjellje joprofesionale e Federatës. Unë kam qenë një viktimë”, u shpreh Bardhi.
Më pas Bardhi jep dhe mendimin e tij përse sfida Maqedoni-Shqipëri u luajt larg Shkupit dhe emocionet që ndjeu në momentin e këndimit të himnit. “Ishte emocionuese kur u këndua himni. U preka në momentin e vërshëllimave, por në fushë jemi profesionistë. E vetmja arsye përse nuk u luajt në Shkup ishte sepse aty do të kishte më shumë shqiptarë, por edhe për arsye sigurie”, tha Bardhi.
Bardhin e pret një e ardhme e ndritur pasi ka cilësi të luajë në ndonjë klub më të madh se Levante. Por, ëndrra e shqiptarit është që ta veshë vetëm fanellën e “Los Blancos”. “Ëndrra ime është të luaj një ditë me fanellën e Real Madridit”, është shprehur Bardhi.