Elbasani, nyje strategjike për drogën nga Afganistani

679

Qyteti i Elbasanit është “nyje strategjike për futjen e drogës nga Afganistani dhe kalimin ne vebndet e BE” dhe për këtë arsye bandat bëjnë ligjin në këtë qytet. Ky fakt u publikua dje nga gazetari Artan Hoxha në një emision në News24. “Në Elbasan është krijuar një situatë që nuk e përballon dot policia lokale. Ka patur përplasje të vazhdueshme në Elbasan. Është një nga degëzimet ku lëviz droga afgane. Elbasani është nyje strategjike për drogën që hyn nga Kapshtica. Grupet kriminale kontrollojnë Elbasanin. Për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë me policinë, u përpoq që të mos bëhej zhurmë mediatike. U tentua që ngjarja në Elbasan të manipulohej”, u shpreh gazetari Artan Hoxha.
Deklarata e gazetarit Hoxha vjen një ditë pas goditjes së makinës së zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit. Banda e Suel Çelës në qytetin e Elbasanit lëviz e armatosur dhe kohët e fundit kanë filluar të vendosin gjoba dhe marrin prona të ndryshme me dhunë. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Elbasani, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke i dërguar edhe një foto të babait të Suel Çelës në shoqërinë e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Qazim Sejdini.
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar në Facebook fotot e Petrit Çelës, babait të Suel Çelës, i cili përplasi me makinën e tij të blinduar zëvendësdrejtorin e Policisë së Elbasanit. Në foto, Çela shfaqet në krah të kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Qazim Sejdini. “Kryekumbara Rama me kumbar Çelën dhe don Lalën! Lexoni mesazhet dhe shikoni fotot e qytetarëve dixhital!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha. Po ju dërgoj disa foto të Petrit Çelës, babait të “Shullazit” të Elbasanit për të kuptuar se sa mbrojtje shtetërore ka kjo bandë. Duke ju kujtuar se, Suel Çela vetëm pak ditë më parë ka dhunuar fizikisht shefin e Krimeve në Elbasan.
Suel Çela bashkë me bandën e tij në qytetin e Elbasanit, të cilin e kanë kthyer si Texas i viteve të kaubojsve, lëvizin të armatosur dhe kohët e fundit kanë filluar të vendosin gjoba dhe marrin prona të ndryshme me dhunë. Petrit Çela është personi me syze në kokë”, shkruan qytetari.