Dhëndri i Qazim Sejdinit godet policinë me makinë të blinduar

Dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit ka goditur me makinë të blinduar makinën e zëvendësdrejtorit të policisë dhe është larguar pa asnjë problem. Denoncimi është bërë fillimisht nga një qytetar nga Elbasani, i cili i është drejtuar me një mesazh kryetarit të PD, Lulzim Basha.
“Kur krimi i veshur me pushtet dhunon vetë policinë, vetingu duhet të nisë nga kryeministri, ministri i Brendshëm e kryebashkiakët të bërë njësh me bandat”, shkruan Basha, duke publikuar mesazhin e qytetarit.
“Kryetar, mirëmbrëma. Sot në Elbasan dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari me Suel Çelën me makinë të blinduar kanë goditur makinën e zv.drejtorit të policisë Elbasan. Kjo pasi një pikë kontrolli ka kontrolluar disa ushtarë të tyre”, shkruan qytetari.
Kreu i PD, Lulzim Basha reagoi sërish pasditen e djeshme për sulmin ndaj policisë në Elbasan duke publikuar në Facebook edhe një foto ku Rama shtrëngon duart me Petrit Çelën, në prani të kumbarit Qazim Sejdini. Basha shkruan se, Petrit Çela është babai i Suel Çelës që përplasi me makinë zëvendësdrejtorin e policisë së bashku me dhëndrin e Sejdinit.
“Ja ku buron guximi dhe pushteti i bandave kriminale. Makina që goditi policinë mbrëmë në Elbasan, është në emër të Petrit Çelës që po shtrëngon duart me Edi Ramën në prani të kumbarit Qazim Sejdini. Policët e ndershëm të Elbasanit denoncuan mbrëmë se i biri, Sueli ishte në fakt në makinë, së bashku me dhëndrin e Sejdinit. Edhe Edi Rama e di mirë, por kjo është zgjedhja e tij; shtrëngimi i duarve me krimin, për të siguruar vota në zgjedhje”, shkruan Basha.

Policia pranon sulmin ndaj zëvendësdrejtorit

Pas denoncimit që bëri kreu i PD, policia e Elbasanit reagoi duke pranuar sulmin me makinë të blinduar ndaj zëvendësdrejtorit të policisë. Policia e Elbasanit bëri të ditur dje nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, makina e zëvendësdrejtorit Gjergji Oshafi u përplas qëllimisht nga një “Audi” i blinduar mbrëmjen e të hënës gjatë operacionit për bllokimin e automjeteve të dyshimta.
Policia bën të ditur në njoftimin për shtyp se, operacioni për verifikimin e mjeteve luksoze apo të dyshuara të trafikuara është shoqëruar me një përplasje gjatë ditës së djeshme mes uniformave blu dhe një shtetasi. Ngjarja raportohet se ka ndodhur në lagjen “Dyli Haxhire”. Efektivët e policisë në kuadër të operacionit bllokuan një automjet lukzos me një vlerë rreth 100.000 euro, ndërsa drejtuesit iu kërkua që të shoqërohej për verifikim të dokumentacionit. Në momentin që mjeti po shoqërohej nga grupi Shqiponjat dhe nga një patrullë policie, një mjet tip “Audi” vjen me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe godet mjetin e policisë. Më pas mjeti që goditi mjetin e policisë u fut në Tregun Ushqimor. Mjeti tip “Audi” dyshohet se është i blinduar, thuhet në njoftim.
“Pas mbërritjes së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s, janë arrestuar 3 persona, ndërkohë që u sekuestruan edhe 7 automjete, 3 prej të cilave të blinduara, si dhe një armë zjarri sportive. Në pranga janë vënë Ledio Zhabeli dhe Kelmend Xhaferri, të cilët ndodheshin në mjetin ‘Range Rover’ me vlerë 100 mijë euro, i cili ishte ndaluar për verifikim nga policia pasi dyshohej si i trafikuar, pasi në banesa iu gjet një sasi kanabisi dhe armë pa leje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia bën të ditur se është arrestuar edhe roja i Tregut Ushqimor, i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë për të hapur derën ku u fut “Audi” që përplasi makinën e policisë. Policia thotë se ka identifikuar drejtuesin e mjetit të blinduar që rrezikoi jetën e efektivëve dhe se po punohet për kapjen e tij ndonëse asnjë prej burimeve nuk pranon të thotë emrin e personit. Policia e Elbasanit ka frikë të publikojë emrin e autorit që përplasi makinën e zëvendësdrejtorit të policisë. Tashmë të gjithë qytetarët e Elbasanit e dinë se makinën e zëvendësdrejtorit e përplasi dhëndri i Qazim Sejdinit me makinën e tij të blinduar.
Policia bëri të ditur se ka sekuestruar 7 makina, mes tyre edhe një “Audi” të blinduar, si dhe një makinë tjetër të blinduar që është në pronësi të Petrit Çelës. Petrit Çela është i ati i Suel Çelës, një person jo i panjohur për forcat e policisë në qytetin e Elbasanit, një nga dy emrat e përmendur nga kreu i PD në reagimin e tij në Facebook. Sipas dëshmitarëve, makina e nëndrejtorit të policisë është përplasur nga dhëndri i Sejdinit, por policia nuk guxon ta arrestojë. Ndërkohë, policia thotë se, çështja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka hapur hetimet, por pa përmendur asnjë emër konkret autorësh të mundshëm.

Enton DOÇI