Deputetët e PD pranë banorëve të Shkozës, Paloka-Ramës: Po poshtëron ata që të kanë votuar

Deputetët e Partisë Demokratike ishin mëngjesin e sotëm në Shkozë, aty ku 153 shtëpi kanë nisur të rrafshohen si rrjedhojë e projektit të Edi Ramës dhe Erion Veliaj. Nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka i bëri thirrje kryeministrit të tregohet njerëzor dhe të mos sillet si armik me njerëzit e tij. Ai kërkoi nga qeveria që të legalizojë shtëpitë që do të prishen dhe më pas t’i dëmshpërblejë me vlerën e tregut.

“Këtu sikur jemi në ndonjë vend që është në mesin e një lufte. Lufta është mes kësaj qeveri dhe banorëve jo vetëm të Shkozës, por të gjitha atyre që e besuan Edi Ramën dhe i dhanë votën. Kështu është kur i beson Edi Ramës. Jemi këtu për të sensibilizuar opinionin dhe për t’i bërë thirrje Edi Ramës mos u sill si armik me qytetarët e tu, bëhu njerëzor! Shiko çfarë po bën! Janë qindra familje që po nxjerr me fëmijët jashtë. Nuk janë të ngujuar sepse ashtu ua ka qejfi por se iu premtua gjatë fushatës elektorale nga njerëzit e qeverisë se shtëpitë e tyre do legalizohen dhe kompensohen por sa erdhën në pushtet kjo është përgjigjja e Edi Ramës. Shteti nuk është aty për t’i marrë shpirtin të pamundurve por për t’i ndihmuar”, deklaroi Paloka.

Më pas Paloka i bëri thirrje Ramës të mos sillet si armik me qytetarët. “I bëj thirrje Edi Ramës, mos u sill si armik me njerëzit e tu. Bëhu njerëzor. Ata banorë janë ngujuar aty jo sepse janë të fortë, por sepse ju premtua gjatë fushatës se shtëpitë e tyre do legalizohen. Vetëm shteti i Edi Ramës përdoret në këtë formë, për t’i shkelur, për t’i poshtëruar edhe ata që i kanë votuar. Shtëpitë e banorëve të legalizohen dhe më pas të dëmshpërblehen me vlerën e tregut. Banorëve t’u jepet kohë për t’u zhvendosur”, tha Paloka.

Rreth 700 qindra banorë rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i njoftoi një javë më parë se shtëpitë e tyre do të prishen për shkak se aty do të nderohet bulevard i ri.