Denoncimi: Shefi i krimeve në Policinë e Durrësit mori 30 mijë euro për vrasjen e djalit tim

“Shefi i Krimeve në Policinë e Durrësit mori 30 mijë euro për të fshirë zonën nga policët në vendin ku më vdiq djali”. Kështu deklaroi Entela Çaushaj, nëna e Endrit Çaushajt, i cili u vra dy vite më parë në Durrës. E ftuar në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në “News 24”, Entela, motra e Renit, 35-vjeçarit të vrarë në Lungomare në muajin korrik, ka lëshuar një deklaratë të fortë teksa tregonte lidhur me ditën kur i vdiq djali. Ajo është rikthyer pas në kohë, ndërsa ka treguar detaje nga dita kur vëllai dhe i biri ishin në një lokal në Durrës, ku mbeti i vrarë ky i fundit.
Entela tregoi se si njihej Reni, vëllai i saj, me Ervin Kodrën, shënjestra e atentatit në Durrës, ku vdiq gabimisht dhe djali i saj. “Vëllai dhe djali hapën një lokal në Tiranë, por nuk u eci. Dhe pastaj vëllai e merr djalin dhe e çon në Durrës. Shkojnë në një lokal. Aty vjen shoku i vëllait që e kishte njohur para 4 muajsh. Pasi qëndrojnë për disa minuta në lokal, Ervini e merr djalin që të shkonin të blinin një paketë cigare. Sa kishin dalë nga lokali, i kanë qëlluar. Kur ka shkuar vëllai im jashtë lokalit, ka parë që njerëzit ishin shtrirë dhe djalin që kishte vdekur. Vëllai më tha se rreth 40 minuta nuk erdhi asnjë polic në vendin e ngjarjes. Askush nuk erdhi për ndihmë, asnjë polic rendi. Vëllai më tha se shefi i Krimeve në Durrës mori 30 mijë euro për të fshirë zonën nga policat. E kanë treguar njerëzit këtë fakt. Djali pati vdekje të menjëhershme nga plumbi. Opinioni vlonjat tha se djalin e vrau daja. Ai u vra nga opinioni”, tha Entela Çaushaj.

Pas djalit i vranë vëllanë në Lungomare

Entela Çaushaj publikoi dje detaje nga vrasja e vëllait të saj, atë të Renaldos 2 muaj më parë dhe të djalit, 2 vite më parë. Sipas saj, të dyja vrasjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, por deri tani asgjë nuk është bërë për zbardhjen e tyre. Nëna e Endrit dhe motra e Renaldos pas humbjes së dy njerëzve më të dashur të saj, refuzon të pranojë versionin e dhënë në media referuar deklaratave të policisë, të cilat thonë se vëllai i saj ishte një person me precedentë të mëparshëm penalë dhe ishte pjesë e botës së narkotrafikut.
Ajo thotë se të dyja ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, të birin ia vranë rastësisht, ndërsa vëllain e ekzekutuan sipas saj të njëjtët persona. E zhgënjyer nga Policia dhe Prokuroria, ajo kërkon të vërtetën. “Nuk e kam gjetur ende arsyen se pse m’u vranë. S’kam marrë asnjë mbështetje nga shteti. Jam e qartë që, ata që më kanë vrarë djalin, më kanë vrarë edhe vëllain. Policia mos të fshehë krimin, kriminalët, vrasësit me pagesë. Ai që më vrau djalin është me pagesë. Vëllai më tregoi se ishin dy persona që qëlluan në Durrës me armë, ku vdiq kot edhe djali im. Ashtu thanë edhe televizionet. Pas vrasjes së djalit, vëllai m’u mbyll në vetvete, ishte djalë me seder”, tha Entela.
Mbrëmjen e 30 korrikut qyteti bregdetar i Vlorës u trondit nga një ngjarje e rëndë. Në zonën e Lungomares u qëllua për vdekje 35-vjeçari Renaldo Omeri. Fill pas ngjarjes, vrasësi u largua në këmbë, duke mos lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që policia ka gjetur vetëm një pistoletë, e cila i përkiste viktimës. Forca të shumta policie janë vënë në kërkim, por emri i autorit mbetet ende i panjohur. Sakaq, viktima njihej në qytet me nofkën “Reni”, por kishte ndryshuar disa herë identitetin. Vrasja e tij është ngjarja e dytë e rëndë në familje, pasi rreth 2 vite më parë në qytetin e Durrësit është ekzekutuar nipi i tij, Endri Çaushaj 25 vjeç.