Dëmtimi i Dembele, Barça kursen 10 milionë euro

Lajmi për dëmtimin e Ousmane Dembele sjell dy anët e medaljes për klubin e Barcelonës. Siç raportojnë të përditshmet sportive europiane, për sulmuesin francez katalanasit do të kursejnë jo pak, por plot 10 milionë euro, ose më saktë shifrën që duhej të depozitonin në arkat e Borussia Dortmund në rastin e 50 paraqitjeve në sezon të 20-vjeçarit Dembele. Objektiv që tashmë është tërësisht i parealizueshëm, duke qenë se pasardhësi i Neymar tek Barça, mendohet të qëndrojë rreth katër muaj jashtë fushe për t’u rehabilituar.
Kartoni i sulmuesit francez i kushtoi klubit spanjoll shifrën e 105 milionë eurove plus 42 të tjera në formë bonusesh, 10 milionë prej të cilave të parashikuara nga ky sezon tashmë janë djegur. Për të arritur bonuset e mbetura, që janë pjesë e klauzolave të përfshira në kontratën e Dembele, Dortmundit do t’i duhet tashmë të presë deri në sezonin e ardhshëm. Sulmuesi iu nënshtrua këtë të martë ndërhyrjes kirugjikale në Finlandë pas dëmtimit të pësuar në tendinë në këmbën e majtë.