Dembele gëzon tifozët: Rikthehem për 2 muaj

Pas 2 humbjeve në Superkupën e Spanjës ndaj Realit të Madridit, Barcelona numëron vetëm fitore. Blaugranat kryesojnë bindshëm La Ligan pas 5 javëve të para, ndërsa e kanë nisur në mënyrë të shkëlqyer edhe aventurën e tyre në Champions League me një fitore fantastike ndaj Juventusit. Me Lionel Messin që po i mahnit të gjithë me paraqitjet e tij në Katalunjë nuk ndihet më as mungesa e Neymar që u transferua te Paris Saint Germain. Lajmi i vetëm i keq për Barçën në këtë fillim sezoni ka qenë pikërisht dëmtimi i sulmuesit të talentuar Ousmane Dembele, i cili u afrua në “Camp Nou” pikërisht për të zëvendësuar brazilianin.
Francezi pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen e fundjavës së kaluar në La Liga ndaj Getafes dhe diagnozat e para përcaktuan se Dembele do të mungojë deri në janar të 2018-tës. Por në një moment kur Barcelona po shkëlqen në fushë lajme të mira vijnë edhe nga infermieria për skuadrën blaugrana. Pas mbështetjes që mori nga shokët e skuadrës përpara sfidës ndaj Eibarit, ku futbollistët e Barcelonës zbritën në fushë me fanella me mbishkrimin “Kurajo Ousmane”, Dembele me një postim në profilin e tij zyrtar në Instagram ka bërë të lumtur drejtuesit, stafin teknik, por edhe të gjithë tifozët e Barçës.
Blerja më e shtrenjtë e historisë së Barcelonës i ka falënderuar të gjithë për mbështetjen, ndërsa në të njëjtën kohë ka shfaqur të gjithë optimizmin e tij se ndihet mirë pas operacionit dhe do të kthehet në fushat e futbollit pas vetëm 2 muajsh. Mesa duket faza e rehabilitimit për talentit francez do të zgjasë më pak sesa parashikohej.