Defekt në gomone, si u zbulua 1 ton drogë gati për t’u trafikuar

Rreth 1 ton drogë është kapur mesnatën e të martës në Vlorë. Droga është kapur pas sinjalizimit të radarit të Policisë Kufitare në Hoxharë, për këtë rast janë arrestuar një shqiptar dhe një italian. Por burime nga Policia Vlorë bëjnë me dije se, kapja e kësaj veliere me drogë ka qenë “fat”, pasi kjo e fundit ka pësuar defekt. Velierës me drogë i është prishur motori dhe nuk ka mundur të lëvizë. Skafistët kanë tentuar ta vënë në lëvizje mjetin, gjë e cila ka rënë në sy, duke lajmëruar policinë.
Këta të fundit, pas sinjalizimit, kanë mbërritur në vendngjarje ku kanë bërë të mundur sekuestrimin e sasisë së drogës dhe arrestimin e dy skafistëve. Sekuestrimi i sasisë së madhe të drogës, për rrjedhojë, është bërë si pasojë e një defekti në motorin e velierës, gjë e cila ka favorizuar policinë t’i kapë. Nëse nuk do të kishte pësuar defekt, droga do të ishte nisur qetësisht për në destinacion dhe policia nuk do t’i kishte buzëqeshur fati, duke ndenjur në errësirë si shumicën e rasteve.
Policia tha se arrestoi 2 autorët, identitetin e të cilëve ende nuk e ka publikuar dhe sekuestron mjetin lundrues. Bëhet e ditur se, skafisti shqiptar që u ndalua nga ana e Policisë është Veli Ymeraj, 35 vjeç nga Fieri, babai i dy fëmijëve.
Mjeti lundrues është pikasur mbrëmjen e së martës në bregdetin e Fierit nga radari i Postës Kufitare të Hoxharës. Pas njoftimit të strukturave të tjera kufitare nisi operacioni që çoi në kapjen e dy autorëve dhe mjetit lundrues. Por, ndërkohë ata kishin mundur ta hidhnin drogën në det. Kjo e fundit përfundoi në breg, duke depërtuar në disa vende edhe në pyllin me pisha. Gjithsej policia thotë se ka mbledhur 1 ton hashash të paketuar. Mjeti lundrues i tipit velierë mbante flamur italian, ndërsa njëri prej dy personave që u gjetën në bordin e tij është italian.