Dani Alves sjell paqe tek PSG-ja

Dani Alves rikthen harmoninë në radhët e Paris Saint Germain. Debati dhe tensioni që përfshiu klubin parisien pas përplasjes mes Edinson Cavanit dhe Neymar se cili prej tyre do ta godasë 11-metërshin, mesa duket është një kapitull i mbyllur dhe në radhët e skuadrës është rikthyer sërish harmonia. Ai që ka menduar për të risjellë paqen ka qenë pikërisht personi që vendosi dhe se kush do ta godiste penalltinë, Dani Alves.
Braziliani, i cili tashmë konsiderohet dhe si lider në dhomat e zhveshjes së parisienëve, ka organizuar një darkë, në një restorant pranë Harkut të Triumfit. Darka ashtu edhe siç është zakon për shumë klube, u realizua për ta bashkuar akoma edhe më shumë ekipin, ku përpara i pret një sezon i gjatë dhe me shumë pretendime. Ky organizim nuk ishte i rastësishëm sepse vjen vetëm pak ditë pas debatit që përfshiu dy sulmuesit, në mënyrë që këta të fundit të sqarohen me njëri-tjetrin dhe ta hedhin pas krahëve këtë moment dhe PSG t’i rikthehet sërish harmonia.