Chelsea sërish nën hetim

Chelsea London Premier League

FIFA po e heton sërish Chelsean. Sipas asaj që publikohet tek e përditshmja “Daily Mail”, klubi londinez duket se ka shënuar sërish parregullsi në kontratat e nënshkruara me futbollistë nën moshën 18-vjeçare. Kjo është hera e tretë në 8 vite, që klubi londinez vihet në qendër të hetimeve nga qeveria e futbollit botëror, në lidhje me këtë çështje.
Në vitin 2009, Chelsea u dënua me bllokim të merkatos për blerjen e Gael Kakuta në vitin 2007. Po kështu, vitin e kaluar FIFA hetoi edhe blerjen e Bertrand Traore. Reagimi i “bluve” të Londrës nuk ka munguar, pasi një prej zëdhënësve të Chelseat ka deklaruar se skuadra kampione e Anglisë i ka respektuar të gjitha rregullat dhe statutin e FIFA-s në lidhje me nënshkrimin e kontratave me futbollistët e rinj.
Çështja e transferimit të futbollistëve nën moshën 18-vjeçare ka qenë një problem për disa prej skuadrave më të rëndësishme europiane, ndaj të cilave nuk kanë munguar ndëshkimet me bllokim të merkatos.
E kanë pësuar në këtë aspekt 3 klubet kryesore spanjolle: Barcelona, Atletico dhe Real Madrid, ndërkohë që mes të ndëshkuarave janë edhe Manchester City e Liverpool. Në rastin e këtyre të fundit, dënimi ka ardhur nga vet drejtuesit e Premier League, me bllokim të veprimeve të tyre me futbollistë të akademive të ndryshme për një periudhë 2-vjeçare.