Çfarë po ndodh me Katalonjën, a po rrezikon Spanja?

Nga Eva Hoxha

Në 3 ditët e fundit janë rritur tensionet midis qeverisë spanjolle dhe qeverisë autonome katalanase, një nga krahinat autonome të Spanjës me kryeqytet Barcelonën. Shkaku kryesor i këtij tensioni është referendumi unilateral i datës 1 tetor, i vendosur nga qeveria katalanase, por i kundërshtuar nga qeveria spanjolle, për të kërkuar pavarësinë e Katalonias.
Më 9 shtator të 2014-ës u zhvillua një referendum i ngjashëm, por pa pasoja ligjore dhe i paaplikueshëm pavarësisht rezultatit. Në të 37% e katalanasve ose 2.2 milionë individë morën pjesë, nga të cilët 80.8% votuan pro pavarësisë. Megjithatë pjesëmarrja e ulët në votim u përkthye nga qeveria spanjolle si një kundërshtim i heshtur i qytetarëve katalanas ndaj një Katalonie të pavarur.
Sipas deklaratës së presidentit të qeverisë katalanase, Carles Puigdemont i Casamajó (Karles Puxhdamon i Kasamaho), nëse shumica e vendasve voton pro pavarësisë në referendumin e 1 tetorit, qeveria katalanase do të shpallë pavarësinë brenda 48 orëve, në mënyrë unilaterale.
Ndërkohë qeveria spanjolle, si dhe kryeministri Mariano Rajoy deklaron se ky referendum është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Kushtetutën e vendit, si dhe deklaron se do të ndërmerret çdo aksion i nevojshëm për të siguruar ruajtjen e demokracisë në Spanjë.
Kështu kanë qenë të shumta masat e ndërmarra nga qeveria spanjolle për të penguar referendumin. Veprimet e ndërmarra filluan që në fillim të shtatorit duke bllokuar faqen zyrtare të referendumit të hapur nga qeveria katalanase. Gjykata Kushtetuese spanjolle e ka shpallur referendumin antiligjor duke vendosur kështu në mbështetje të kërkesës së qeverisë spanjolle. Paralelisht, janë hapur hetime ligjore ndaj bashkive dhe kryetarëve të tyre, të shprehur në mbështetje të referendumit.
Në datën 19 dhe 20 shtator qeveria spanjolle urdhëroi policinë nacionale të sekuestrojë çdo material të përdorueshëm në referendimin e 1 tetorit, duke përfshirë dhe fletat e votimit.
Po në datë 20 shtator është arrestuar ministri i Ekonomisë i qeverisë autonome katalanase, ndërkohë që qeveria spanjolle ka marrë nën kontroll buxhetin e Katalunias me justifikimin se po përdorej për të financuar materialet e referendumit, duke cenuar haptazi autonominë e saj.
Masat drasktike nga qeveria spanjolle konsiderohen si shkelje të parimeve demokratike, duke mobilizuar me mijëra qytetarë katalanas në protestë ndaj policisë nacionale. Protestat e datës 20 kanë përfunduar në përleshje mes qytetarëve dhe policicë nacionale në Terrasa, qytet në veri të Barcelonës. Në ditët në vazhdim pritet të rriten tensionet midis palëve.
Në konferencën e fundit për shtyp, kryeministri Mariano Rajoy kërkoi përgjegjshmëri nga institucionet katalanase dhe duke u thënë se janë akoma në kohë për të shmangur pasoja më të rënda. Spanja është një nga vendet në pakicë që vazhdon të refuzojë pavarësinë e Kosovës dhe të njohë krijimin e shtetit kosovar. Çdo qëndrim tjetër ndaj situatës së Kosovës do të ofronte argumente për zonat autonomike të Spanjës të kërkojnë pavarësinë dhe shkëputjen e tyre nga shteti spanjoll.