Çako, shou në Elbasan, autori që sulmoi policinë nuk arrestohet

 

Tre ditë pas sulmit që iu bë nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit nga një makinë e blinduar, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako zhvilloi dje paradite një takim me drejtues të policisë. Pas mbledhjes Çako bëri të ditur se po drejton një operacion nga Forcat Speciale RENEA dhe ato të FNSH-së për goditjen e grupeve kriminale. Si rezultat, policia bëri të ditur se u bllokuan disa makina luksoze, u kap një person në kërkim për vjedhje me armë, si dhe u shoqëruan për verifikim 27 persona kryesisht persona me precedentë penalë në fusha të ndryshme. Por operacioni policor i drejtuar nga vetë Çako ishte një shou, sepse autori që sulmoi me makinë të blinduar nëndrejtorin e Policisë së Elbasanit para tre ditësh nuk u arrestua. Edhe pse emri i tij u denoncua nga opozita dhe mediat, policia vazhdon ta mbajë të fshehtë dhe të mos e arrestojë.
Policia u sulmua mbrëmjen e 18 shtatorit nga një makinë e blinduar, që i përkiste biznesmenit Petrit Çela, i njohur për lidhjet që ka me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Qazim Sejdini. Burime nga Policia e Elbasanit bënë të ditur se, personi që ishte në drejtim të automjetit që sulmoi policinë ishte i biri i biznesmenit, Suel Çela. Policia e Elbasanit bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se është identifikuar autori i sulmit me makinë ndaj policisë, por nuk e publikoi emrin e tij, as inicialet siç vepron rëndom në komunikatat zyrtare. Edhe dje, drejtori i Policisë së Shtetit, Çako tha se autori i sulmit ishte identifikuar, por nuk guxoi ta përmendë emrin e tij. Në Policinë e Elbasanit të gjithë e dinë se kush është autori i sulmit ndaj nëndrejtorit, por kanë frikë të flasin. Ai vazhdon të jetë i lirë ndonëse sulmoi një zyrtar të lartë të policisë.
Shkak për sulmin u bë shoqërimi në polici i një mjeti “Range Rover”, me vlerë 100 mijë euro që policia po shoqëronte në komisariat. Policia ishte në një aksion kontrolli kur u sulmua nga një mjet tip “Audi”. Ndërkohë që në një operacion tjetër u bllokua edhe mjeti “Range” që u bë shkak për përplasjen.
Gjatë manovrave të “Audi”-t, i cili rezulton në pronësi të biznesmenit Petrit Çela, drejtuesi i saj goditi makinën e Policisë me targa MB 002 AA, që drejtohej nga nëndrejtori i Policisë, Gjergji Oshafi.
Më tej, makina “Audi” e blinduar është larguar me shpejtësi, duke hyrë në tregun agro-ushqimor, që ndodhet në dalje të qytetit dhe që po ashtu rezulton në pronësi të biznesmenit Çela. Gjatë operacionit, përveç sekuestrimit të automjetit “Range Rover”, që rezulton në pronësi të Petrit Çelës, Policia sekuestroi edhe gjashtë automjete të tjera. Mes tyre janë dhe dy automjete të blinduara, që rezultojnë po në pronësi të biznesmenit të njohur. Bëhet fjalë për dy makina tip “Audi A8”. Megjithatë, autori i sulmit ndaj policisë vijon të jetë i lirë për shkak të lidhjeve me kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Qazim Sejdini.
Gazetari Artan Hoxha u shpreh një ditë më parë se, sulmi ndaj nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit u tentua të manipulohej. Ai tha se, qyteti i Elbasanit është “nyje strategjike për drogën nga Afganistani që kalon drejt vendeve të BE” dhe për këtë arsye bandat bëjnë ligjin në këtë qytet.
Qytetarë të ndryshëm nga Elbasani janë shprehur se banda e Suel Çelës në qytetin e Elbasanit lëviz e armatosur dhe kohët e fundit kanë filluar të vendosin gjoba dhe marrin prona të ndryshme me dhunë. Kjo bandë nuk goditet për shkak të mbështetjes që ka nga zyrtarët e lartë. Denoncimi u bë para dy ditësh nga një qytetar nga Elbasani, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke i dërguar edhe një foto të Petrit Çelës, babait të Suel Çelës në shoqërinë e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Berisha: Arrestojnë endacakët, darkojnë me bandën e Ramës dhe Don Lalës

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar pas njoftimit të policisë se, janë shoqëruar 27 vetë nga operacioni policor në Elbasan, për verifikim. Policia bëri të ditur dje, se zhvilloi një operacion të gjerë dje në Elbasan, por autori që goditi makinën e zv/drejtorit të policisë para tre ditësh nuk u arrestua. Berisha shkruan në Facebook se, arrestuan 27 endacakë, ndërsa me bandën e Ramës dhe Don Lalës darkojnë.
“Aksion spektakolar policor në Elbasan, i drejtuar nga vetë Çako i drogës! Me bandën e Ramës dhe Don Lalës darkojnë, ama arrestojnë 27 endacakë! Bravo, bravo e qetësuan Elbasanin!”, shkruan me ironi Berisha.
Një ditë më parë, Berisha publikoi në Facebook mesazhin e një qytetari nga Elbasani, i cili e informonte se, banda e Suel Çelës në qytetin e Elbasanit lëviz e armatosur dhe kohët e fundit kanë filluar të vendosin gjoba dhe marrin prona të ndryshme me dhunë. “Përshëndetje zoti Berisha. Po ju dërgoj disa foto të Petrit Çelës, babait të “Shullazit” të Elbasanit për të kuptuar se sa mbrojtje shtetërore ka kjo bandë. Duke ju kujtuar se, Suel Çela vetëm pak ditë më parë ka dhunuar fizikisht shefin e Krimeve në Elbasan.
Suel Çela bashkë me bandën e tij në qytetin e Elbasanit, të cilin e kanë kthyer si Texas i viteve të kaubojsve, lëvizin të armatosur dhe kohët e fundit kanë filluar të vendosin gjoba dhe marrin prona të ndryshme me dhunë. Petrit Çela është personi me syze në kokë”, shkruante qytetari.