Bizneset borxhlie te tatimet, 70% nuk kanë mundësi të paguajnë

Vetëm gjysma e subjekteve të kontaktuara nga “Monitor” ishin në dijeni të detyrimit që kishin ndaj tatimeve, 27% e subjekteve të intervistuara nuk ishin në dijeni që kishin ndonjë detyrim, ndërsa 23% e subjekteve nuk kanë të sakta të dhënat në ekstraktin e shkarkuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (ndonëse u konstatua që shumë prej tyre kishin urdhra bllokimi), disa ishin subjekte në pronësi të shtetasve italianë, për të cilët nuk ka më informacion se ku ndodhen, ndërsa disa të tjerë ishin larguar fare nga vendi. Sipas rezultateve të sondazhit, pamundësia ishte arsyeja e mospagimit të detyrimit për 70% të subjekteve debitorë, 10% e tyre deklaruan se ishin në proces gjyqësor ose në proces ankimi te tatimet dhe 20% refuzojnë që të paguajnë borxhin dhe të japin arsye për mospagimin e detyrimeve. Të dhënat e sondazhit janë në një linjë me atë të dy anketimeve të mëparshme të “Monitor”, ku 70% e subjekteve që mbylleshin pranuan se arsyeja kryesore ishte rënia e shitjeve si pasojë e krizës, ose shtimit të konkurrencës.

Borxhi tatimor

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve, detyrimi aktual i subjekteve me barrë hipotekore, që bizneset i kanë shtetit, është 78 miliardë lekë. Peshën më të madhe në vlerën e detyrimeve e zënë subjektet e Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj, 38%, më pas vjen Drejtoria e Tiranës, e cila në fakt ka një numër absolutisht më të madh të tatimpaguesve, me 35,6%, Durrësi rreth 5%. Sipas të dhënave të fundit të tatimeve, nga procesi aktual i fshirjes së detyrimeve të prapambetura, janë 14,6 miliardë lekë detyrime të prapambetura e të falura, të krijuara para vitit 2010 (sipas ligjit të faljes, detyrimet deri në vitin 2010 fshihen pa kushte 100%), ku rreth 37% e tyre janë administruar në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tiranës.

Bllokim i llogarive bankare

Abdulla Sinani, administrator në një firmë ndërtimi, tregon se bllokimi i llogarive bankare nga tatimet ka filluar t’i bllokojë dhe punën. “Më kanë bllokuar llogaritë bankare. Nuk më shlyejnë klientët që kam dhe prej mungesës së likuiditetit nuk kam mbyllur detyrimet që kam ndaj shtetit, tha zoti Abdulla Sinani. Detyrimi që kam përllogaritet rreth 300 mijë lekë”. Ramazan Veseli, administrator i kompanisë “Krajka”, subjekt debitor në Drejtorinë Rajonale të Dibrës, tregon se të gjitha llogaritë bankare iu bllokuan pa marrë asnjë lajmërim nga tatimet. Ai thotë se ka lidhur kontratë dhe paguan me këste detyrimin e papaguar, që kap vlerën e 400 mijë lekëve. Llogaritë bankare vazhdonin të ishin të bllokuara edhe për Shkëlqim Kazazin, i cili tha se pagoi menjëherë detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat nuk i kishte paguar prej kohësh, por nuk ishte reflektuar pagesa në sistem. “Bëra pagesën cash të menjëhershme për 240 mijë lekë, mirëpo nuk është reflektuar ende nga sistemi. Mua kjo më ka prishur shumë punë dhe nuk kryej dot asnjë transaksion bankar pasi më bllokojnë llogaritë”. Sipas të dhënave nga tatimet, nga raporti vjetor 2016, në 47% të rasteve të pagesave të detyrimeve janë kryer pas urdhër bllokimit të llogarive bankare, ndërsa 34% pas njoftimit dhe kërkesës për të paguar, duke rezultuar si masë më pak efektive për mbledhjen e borxhit tatimor.

Krizë likuiditeti

Vonesa e klientëve është bërë shkak për mospagimin e detyrimit edhe për administratorin e kompanisë së fasonerisë “Rekon”, e cila operon në Durrës. “Ne jemi të rinj në këtë industri. Klientët na paguajnë për porosi 90 ditë më vonë. Kur të më paguajnë do t’i likuidoj detyrimet dhe kamatëvonesat, ndërkohë që shpreson që të mos i bllokohen llogaritë për të mos vonuar pagat e punonjësve”.

Bizneset janë larguar në drejtim të paditur

Gjatë sondazhit, një pjesë e mirë e subjekteve në listën e publikuar nga tatimet nuk kanë përditësuar të dhënat e kontaktit. Shpesh pas telefonit përgjigjeshin individë që nuk kishin lidhje me subjektin, ndërkohë që në adresat e bizneseve jepet si referencë ndonjë shkollë, bar apo institucion pranë subjektit, duke e vështirësuar komunikimin midis tatimeve dhe biznesit. Sipas përzgjedhjes rastësore, një ndër subjektet që u zgjodh për t’u intervistuar mbi llojin dhe arsyet e borxhit tatimor ishte edhe “Galina Group”. Pas telefonit në numrin e kontaktit të vendosur nga administratori i kompanisë u përgjigj një zotëri, për të cilin nuk ishim të parët që kërkonin administratorin e “Galina Group”. Doganat, Tatimet dhe shumë banka të nivelit të dytë e kishin telefonuar për të kërkuar borxhet. Njësoj si me “Galina Group”, edhe për kompaninë “MEC Oil and Refining Co” u përgjigj ish-ekonomistja, e cila tha se përveçse i kishin borxh asaj, vazhdimisht e merrnin në telefon bankat për të kërkuar borxhin.