Betis shtang Realin

Rikthehet Cristiano Ronaldo, por Reali i Madridit shokohet në shtëpi. Los Blancos pësuan humbjen e parë në këtë sezon të La Ligas, pasi u mposhtën me rezultatin 0-1 nga Real Betis në “Santiago Bernabeu”, duke humbur akoma edhe më shumë terren ndaj Barcelonës në renditje, pasi katalanasit që kryesojnë tashmë kanë 7 pikë më shumë se kampionët në fuqi të Spanjës. Në fushë ishin të gjithë yjet, pasi përveç Ronaldos u rikthyen në formacion edhe Marcelo e Toni Kroos, por Reali hasi në rezistencën e Adan që ndali çdo tentativë të yjeve merengues, ndërsa në të 94-tën Sanabria shënoi një gol të rëndë për t’i dhënë një fitore të madhe Betis brenda në kryeqytet. Në të 75-tën Adan dhe shtylla i mohuan një gol spektakolar uellsianit Gareth Bale, ndërsa me Realin të gjithin përpara në kërkim të golit të fitores Betis shfrytëzoi kundërsulmet në minutat e fundit dhe pasi Sanabrias iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, në të 94-tën sulmuesi i skuadrës andaluziane i shërbyer nga Barragan shënoi me kokë golin e fitores për miqtë, duke shtangur Keylor Navas-in dhe të gjithë tifozët e Realit që ishin të pranishëm në “Bernabeu”.
San Mames konsiderohet ndryshe si fortesa e Athletic Bilbaos, por jo kur luan përballë Atleticos së Madridit, sepse Los Colchoneros u kanë marrë dorën baskëve dhe i mposhtin pothuajse gjithmonë në shtëpi. Për të regjistruar fitoren e 3-të radhazi në këtë sezon të La Ligas, madrilenët triumfuan me shifrat 1-2 përballë Bilbaos, duke marrë fitoren e 4-t në 5 transfertat e fundit në San Mames. Skuadra e Simeones ishte më e vendosur se vendasit për të marrë 3 pikët, por në minutën e 35-të, shtylla i tha jo golit të Nicolas Gaitan. Në të 41-tën duhej mrekullia e Jan Oblak për të mbajtur të pandryshuar rezultatin për të mos ia vështirësuar këtë sfidë Atleticos. Portieri slloven me një ndërhyrje fantastike priti penalltinë e fituar Raul Garcia dhe të ekzektuar nga Aritz Aduriz. Në të 55-tën erdhi edhe zhbllokimi i rezultatit me Atleticon që mori avantazhin falë golit të argjentinasit Angel Correa, i cili shfrytëzoi asistin perfekt të Koke. Fitoren e Los Colchoneros e vulosi belgu Ferreira Carrasco që në minutën e 73-tën i shërbyer nga Griezmann, i çoi shifrat në 0-2. Në fund kishte vend për golin e Rual Garcias, ishit të madh të sfidës, i cili e bëri më pak të dhembshme këtë humbje për skuadrën baske.
Pas kësaj humbjeje, Real Madridi gjenden në vendin e shtatë në renditjen tabelore me 8 pikë të tubuara. Kampioni i Spanjës dhe Evropës është 7 pikë më pak larg Barcelonës, e cila është e para në tabelë. Para Real Madridit në tabelë janë skuadrat si Sevilla, Atletico Madrid, Valencia, Sociedad dhe Betis.