Basha nis konsultimet me aleatët për Reformën Zgjedhore

Siç edhe kishte paralajmëruar, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nisi mbrëmjen e djeshme konsultimet me partitë aleate opozitare në lidhje me Reformën në Drejtësi. Kreu i opozitës Basha ka thënë se diskutimet dhe konsultimet për Reformën Zgjedhore do të përfshijnë çdo aleat të PD-së, parlamentar ose jo parlamentar.
“Konsultimet do të vazhdojnë me aleatët parlamentarë dhe jo parlamentarë. Konsultime edhe me çdo forcë politike dhe faktorë shoqërorë pro zgjedhjeve të lira. Reforma zgjedhore për të ndalur manipulimin dhe shitblerjen e votës. Reforma zgjedhore; votim dhe numërim elektronik. Reforma Zgjedhore, të mundësojë votimin e emigrantëve”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Partia Demokratike i ka kërkoi të hënën zyrtarisht Kuvendit ngritjen e Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore. Përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, deputetët demokratë theksojnë rëndësinë për një reformë të thellë dhe të gjithanshme zgjedhore, e cila do t’i japë zgjidhje përfundimtare mbrojtjes së votës së lirë të pandikuar nga pushteti i krimit, drogës dhe korrupsionit.
Deputetët e PD theksojnë se kjo reformë duhet të pamundësojë në mënyrë të plotë dhe efikase blerjen masive të votave me paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar, përdorimin e pushtetit publik për qëllime të përfitimit në zgjedhje.
“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i një demokracie funksionale, që forcon përgjegjshmërinë e qeverisë dhe jetëson aprimin e llogaridhënies në qeverisje. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka vlerësuar edhe më herët nevojën urgjente për një reformë të thellë dhe të gjithanshme zgjedhore, për të garantuar mbi të gjitha votimin e lirë dhe të pandikuar nga paratë e krimit dhe korrupsionit apo presionit të personave me rekorde kriminale, si dhe për të zhvilluar zgjedhje sipas standardeve të mira europiane.
Pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme, legjislatura e shkuar e Kuvendit të Shqipërisë, për shkak të mungesës së vullnetit të mazhorancës qeverisëse nuk arriti të realizonte ndryshimet e nevojshme ligjore dhe infrastrukturore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke bllokuar më shumë se një vit propozimet konkrete të paraqitura nga Partia Demokratike dhe që adresojnë shqetësimet kryesore që lidhen me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për këtë shkak, Shqipëria me zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 bëri hapa të mëdha prapa në përmbushjen e standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke i dhënë shqiptarëve zgjedhjet më të deformuara në historinë e Shqipërisë, si pasojë e fenomenit masiv të shitblerjes së votave.
Ne vlerësojmë se implementimi i kësaj reforme, duhet të pamundësojë në mënyrë të plotë dhe efikase blerjen masive të votave me paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar, përdorimin e pushtetit publik për qëllime të përfitimit në zgjedhje, përdorimit të institucioneve si mekanizëm për të siguruar vota apo për të ushtruar presion mbi votuesit apo keqpërdorimin politik të Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera shtetërore”, thuhet në kërkesën e PD.