Bardhi, tjetër perlë me Levanten

Tjetër perlë e Enis Bardhit me Levanten në Primera Division. Në ndeshjen përmbyllëse të javës së pestë të La Ligas, futbollisti shqiptar, por që përfaqëson Maqedoninë, shënoi golin e tretë dhe të fundit në fitoren 3-0 ndaj Real Socidadit, teksa më parë kishin shënuar Chema dhe Morales me 11 metërsh.
Interesant fakti që në momentin e faullit të shkaktuar nga Llorente, i cili u ndëshkua me karton të kuq, pati një debat mes Bardhit dhe futbollistit spanjoll Ivi për ekzuktimin e goditjes së lirë, sikurse ndodhi në radhët e PSG mes Neymar dhe Cavanit për një 11 metërsh. Gjithsesi gjatë festës së golit, u pa qartë që dy futbollistët e Levantës festuan së bashku, duke e mbyllur aty për aty këtë debat.
Për Enis Bardhin ky ishte goli i tretë në kampionatin spanjoll, pasi më parë kishte shënuar një gol të mrekullueshëm nga distanca në barazimin 2-2 me Deportivo La Corunan si dhe në derbin me Valencian që përfundoi po barazim 1-1.
Një fillim i pabesueshëm i sezonit për 22-vjeçarin, që u ble në verë nga radhët e Ujpeshtit në Hungari për vetëm 1.5 milionë euro. Paraqitjet pozitive dhe 3 golat e shënuar në 5 ndeshjet e para të La Ligas ia kanë shumëfishuar vlerën e kartonit lojtarit të Kombëtares së Maqedonisë.