Barcelona shkatërron Eibar

Mesi stratosferik me 4 gola në një mbrëmje të vetme dhe Barceona me gazin në maksimum për fitoren e pestë të sezonit që e ka nisur me këmbën e duhur. Suksesin e pestë në po kaq ndeshje Barcelona e regjistroi në “Camp Nou” me rezutatin 6-1, ku Paulinho dha një tjetër shkëndijë, duke konfirmuar se ndoshta është ai blerja e duhur pas kontestimeve të verës. Barcelona e gjeti golin e parë që në minutën e 20, pasi Lionel Mesi e ndali topin në rrjetë pas ekzekutimit të 11-metërshit. Braziliani Paulinho vendosi firmën e tij 18 minuta më pas, duke u shkëputur fuqishëm në zonën e rreptësisë.
Nuk e hoqi këmbën nga gazi skuadra e Ernesto Valverdes as në pjesën e dytë. Menjëherë pas rikthimit të skuadrave në fushën e lojës ishte radha e Denis Suarez. Sergi Enrich shkurtoi diferencën për Eibar, por pak çaste më vonë, Mesi me një lehtësi marramendëse e kaloi topin në cepin e djathtë të portës së Marko Dmitroviç. Paulinho u bë sërish protagonist në minutën e 62 pas një kombinimi me Lionel Mesin, duke i dhuruar një asist argjentinasit për të gjetur golin e tretë të mbrëmjes. Por numri 10 nuk u ndal me kaq, pasi në minutat e fundit gjeti edhe golin e katërt personal. Me këtë fitore, Barcelona ngjitet në kuotën e 15 pikëve, duke u konfirmuar skuadra e momentit në La Liga.
Pas paraqitjes fantastike, Mesi ka marrë lëvdata nga trajneri i skuadrës, Ernesto Valverde. “Ai është lojtari më inteligjent që kam parë ndonjëherë në një fushë futbolli. Ai është i jashtëzakonshëm, nuk ka fjalë”, ka deklaruar Valverde. Mesi e ka nisur shumë mirë sezonin 2017-2018. Me katër golat e shënuar mbrëmë, Mesi ka arritur në kuotën e nëntë golave në pesë ndeshjet e para në La Liga.