Banka Qendrore Europiane paralajmëron Shqipërinë

Një prej zërave më të fortë brenda bordit të Bankës Qendrore Europiane ka gjetur kohën dhe rastin që të kritikojë, por edhe paralajmërojë Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, për nivelin lartë të euroizimit. “Niveli i lartë i përdorimit të monedhës së huaj ka pasoja serioze. Eurozimi jo zyrtar ndër të tjera kufizon efektin e politikave monetare si dhe mund të kufizojë hapësirat për manovra të këtyre politikave”, nënvizoi Benoit Coeure. “Familjarët dhe firmat mund që mos të jenë më të afta që të paguajnë borxhin e tyre të denominuar në valutë të huaj, duke krijuar për rrjedhojë një risk kreditimi për bankat”, shtoi ai, duke përmendur shprehimisht Shqipërinë, Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën. Sipas tij, ky fenomen meriton vëmendjen e politikbërësve. Pritshmëritë se, dikur këto vende do t`i bashkohen unionit, e për rrjedhojë edhe eurozonës, nuk duhet të shmangin vëmendjen ndaj përpjekjeve për të luftuar fenomenin”, mbylli Coeure fjalën e tij në Sarajevë, gjatë një konference përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të Bankës Qendrore të Bosnje Hercegovinës. Fenomeni i euroizimit gjatë viti të fundit ka marrë vëmendjen maksimale të institucioneve përkatëse në vendin tonë, si të atyre përgjegjëse për politikat fiskale, ashtu edhe të atyre përgjegjëse për politikat monetare. Banka e Shqipërisë ka përgatitur një plan konkret për të ulur nivelin e euroizimit. Efektet e para të këtij plani janë vënë re që gjatë muajve të fundit.