Banka e Lindës kërkon të blejë edhe NBG bank

Banka Kombëtare Greke (NBG) do të shesë pjesën më të madhe të aseteve në Ballkan, duke përfshirë operacionet e saj rumune, për të përfunduar një plan ristrukturimi për të cilin është rënë dakord me autoritetet evropiane, ka pohuar shefi ekzekutiv i saj. Ai tha se, “Credit Suisse” e ka këshilluar grupin për shitjen. Përveç Romaneasca, Fragiadakis tha NBG do të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët. “Më shumë se 90 për qind e ristrukturimit tonë ka përfunduar. Këto operacione përbëjnë një pjesë shumë të vogël të angazhimeve në kuadër të planit”, tha ai, duke shtuar se proceset e shitjes ishin duke u zhvilluar.
Banka Kombëtare e Greqisë (NBG), e cila prej vitesh operon në sistemin bankar shqiptar, ashtu sikurse kishte paralajmëruar më herët, ka vendosur të tërhiqet nga Shqipëria duke nxjerrë në shitje filialin e saj NBG Albania. “Monitor” mësoi se të paktën tre subjekte kanë ofertuar pranë kësaj banke, ku dy prej tyre janë brenda të njëjtit profil operimi, kurse oferta e tretë vjen nga një kompani sigurimi.
Ofertuesi me ofertën më të lartë është Fibank, një bankë me kapital të huaj kryesisht bullgar, ndërsa ofertuesi i dytë është Banka Amerikane e Investimeve, (ish-Crédit Agricole që në 2015-ën u ble nga NCH Capital). Banka nuk dha koment.
Banka e Parë e Investimeve mësohet të jetë e treta në grupin e subjekteve që kanë shprehur interes për të blerë bankën NBG.
Në muajin gusht NBG njoftoi mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje me ΟΤP Bank Romania për shitjen tek OTP të pjesës së saj të aksioneve prej 99.28%, që zotërohej tek dega e saj rumune, Banca Romaneasca dhe të një portofoli të huave me risk të korporatave.
Më herët, CEO i Bankës, Leonidas Fragiadakis, ka pohuar në një intervistë për “Reuters” se NBG do të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët.
“Më shumë se 90 për qind e ristrukturimit tonë ka përfunduar. Këto operacione përbëjnë një pjesë shumë të vogël të angazhimeve në kuadër të planit”, tha ai, duke shtuar se proceset e shitjes ishin duke u zhvilluar.

Situata e NBG në Shqipëri

Në fund të tremujorit të dytë 2017, totali i aktiveve të NBG në Shqipëri ishte 40.5 miliardë lekë, duke përbërë 2.8% të totalit të aktiveve të sistemit bankar, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Pesha e NBG-së ka rënë ndjeshëm në krahasim me vitin 2008, kur ajo zinte 6.7% të totalit, teksa banka kishte qenë shumë agresive në treg deri në atë periudhë, sidomos në kredidhënie. Pas vitit 2008, aktiviteti i gjithë bankave me kapital grek filloi të tkurrej, duke u përshpejtuar vitet e fundit teksa sistemi bankar grek kaloi në krizë dhe Greqia dy vjet më parë rrezikoi dhe daljen nga euro. Teksa mëma përpiqet të rregullojë treguesit në shtëpi, ajo po shet gradualisht degët e rajonit.
Aktualisht NBG në Shqipëri zotëron 4.8% të stokut të kredisë, nga 9.2% që ishte kjo peshë në fund të vitit 2008.

Banka ku Linda Rama është këshilltare

Linda Rama, është emëruar në Këshillin Drejtues të ABI Bank (Banka Amerikane e Investimeve). Sipas dokumenteve znj.Rama është emëruar në këtë detyrë që prej fillimit të vitit të shkuar dhe mandati i saj do të zgjasë deri më 7 janar të vitit 2020. Por edhe pse zyrtarisht rezulton në detyrë që prej janarit të vitit 2016, zyrtarizimi i znj.Rama është bërë në shtator, sipas dokumenteve të publikuara nga vetë banka. “Arsyet e hapjes së çeshtjes: Depozitim i Rezolutes Nr.64, datë 07.01.2016, ku është vendosur emerimi i z.Richard Lukaj dhe zj.Lindita Rama si anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues”, thuhet në Regjistrin e Binzeseve, referuar emërimit të Linda Ramës në Këshillin Drejtues të “ABI Bank”.
“ABI Bank” zotëron 2.7% të tregut bankar dhe nëse do të blejë edhe “NBG” atëhere portofoli i saj në tregun shqiptar do të arrinte ne 5.6%.
ABI Bank vazhdoi të mbajë një pozicion rekord në treguesit më të rëndësishëm të sistemit bankar në gjysmën e parë të vitit 2016.
Kjo bankë rezultoi të ishte institucioni me përfitueshmërinë më të lartë në treg si rezultat i përmirësimeve në cilësinë e portofolit të kredisë dhe uljes së shpenzimeve administrative.
Përfitueshmëria e lartë ka çuar në një mjaftueshmëri kapitali rekord për bankën dhe më të lartën në sektorin bankar në Shqipëri me 23%. Niveli i lartë i depozitave dhe i kapitalit ndikuan në rritjen në masën 19% të aktiveve të bankës me një vlerë totale 229 milionë euro.

Pikëpyetjet mbi bankën

Sistemi bankar në Shqipëri numëron 16 banka, por vetëm njëra prej tyre vjen nga kompani offshore. Ajo është Banka Amerikane e Investimeve, në bordin drejtues të së cilës pak muaj më parë u emërua bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama. Banka Amerikane e Investimeve përbën një risi të çuditshme në sistemin financiar shqiptar, e cila ka habitur jo pak ekspertët. Pronësia e saj është e pagjurmueshme, pasi kalon përmes parajsave fiskale. Të gjitha bankat e licencuara në Shqipëri zotërohen nga grupe të mirënjohura financiare kryesisht nga Europa Perëndimore. Pronësia e tyre është transparente dhe aksionerët që i zotërojnë janë të njohur publikisht. Por në rastin e ABI Bank, çuditërisht kjo traditë u thye, duke ngritur dyshime të forta edhe ligjore për licencimin e bankës në dhjetor të vitit 2015.

Pronësia e panjohur

Banka Amerikane e Investimeve zotërohet 100 për qind nga një fond financiar i quajtur Tranzit sh.p.k. Por ky i fundit, zotërohet nga 3 aksionerë, një shtetas shqiptar me emrin Andi Ballta dhe dy fonde të tjera, NCH Balkan Fund dhe Neë Century Holding. Të dy këto fonde, të cilat zotërojnë 70 për qind të Bankës Amerikane të Investimeve janë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Cayman. NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit sh.p.k, Neë Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711. Askush nuk e di se kush qëndron pas NCH Balkan Fund dhe Neë Century Holdings, për shkak të sekretit që ofrojnë parajsat fiskale. Ky fakt ngre dyshime të forta. Kush qëndron pas Abi Bank dhe pse BSH pranoi të licencojë një bankë nga parajsat fiskale?

Kush janë ortakët dhe pastrimi parave?

Është një histori që nis nga shumë larg dhe që është e vështirë të kuptohet se ku po shkon. Në vitin 2014, Credite Agricole, si pasojë e një situate të rrënuar financiare, shiti filialin e saj shqiptar, të cilin e kishte blerë disa vjet më parë nga Emporiki, një banke greke e kontrolluar prej saj. Banka u ble nga kompania Tranzit shpk, e regjistruar në Shqipëri në vitin 2009 dhe e autorizuar nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar aktivitet financiar, leasing dhe faktoring, blerje kredish të këqia dhe veprime të tjera të ngjashme.
Tranzit shpk është në bashkëpronësi me nga 50 për qind të dy fondeve të investimit, NHC Balkan Fund L.P. dhe Neë Century Holdings XI L.P., të regjistruara në ishujt Cayman, çfarë e bën të pamundur njohjen e identitetit të pronarëve të fondeve.
Më 12 maj 2015, Tranzit firmosi marrëveshjen për blerjen e Credit Agricole. Në momentin e blerjes i gjithë kapitali i kompanisë ishte rreth 1.3 milionë euro, ndërsa ai i Credit Agricole gati 55 milionë euro. Nga bilancet e dorëzuara në QKR nga Tranzit ka deklaruar të ardhura rreth 300 mijë euro në vit. Menjëherë pas marrëveshjes, dy fondet në pronësi të Tranzit i shesin për një shumë prej 390 mijë euro 30 për qind të kuotave të tyre Andi Balltës, një shqiptar me pasaportë amerikane-administrator i Tranzit që nga themelimi.

Kush është NHC Kapital?

Dy fondet aksionere të Tranzit janë të regjistruara në Gran Cayman dhe administrohen të dyja nga NHC Capital Inc, një shoqëri amerikane administrimi kursimesh, në pronësi të dy kunetërve Moris Tabacinic dhe George Rohr. Të dy, hebrej amerikanë, morën pjesë në vitin 1991 në privatizimet e rëndësishme në Rusi dhe më pas ndërtuan një sistem fondesh të specializuara në Rusi dhe në vendet e Lindjes, të cilat administrohen direkt nga Moska.
Sistemi deklaron se administron 25 fonde private me vlera të barabarta që veprojnë në gati të gjithë vendet e Lindjes, dhe që kontrollojnë të paktën dy banka në Ukrainë dhe Rumani, me një vlerë të përbashkët të aktiveve për të gjitha fondet e barabartë me 3,4 miliardë dollarë.
Edhe pse NHC Capital Inc është e regjistruar në entin rregullator financiar, SEC, si administrator i fondeve të investimit, por fondet dhe e gjithë struktura janë të regjistruara në Cayman ose në ndonjë prej vendeve lindore, pra nuk i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve amerikane.
Dega kryesore vepruese e NHC Capital Inc është në Moskë nën emrin NHC Capital Real Estate, që rezulton të jetë një lloj shoqërie e administrimit të kursimeve ruse, pra administron fonde investimesh dhe deklaron të paktën tre fonde të krijuara në fillim të viteve 2000 dhe tashmë të mbyllura, për një shumë të përgjithshme prej 1,8 miliardë dollarë. Shembujt e investimeve të realizuara nga fondet NHC, të paraqitura në faqen zyrtare, nuk duken të tilla që të justifikojnë vlerën lartë të deklaruar nga ato.

Blerja e bankës

Në shtator të vitit 2015 bëhet kalimi i pronësisë së Credit Agricole tek Tranzit shpk, emërohet bordi i ri i bankës, dhe ajo riquhet Banka Amerikane e Investimeve sh.a. Më 17 tetor 2015, Banka e Shqipërisë autorizon kalimin e kuotave 100 për qind tek Tranzit shpk.
Presidenti ri i bordit u emërua Lorenzo Roncario 84-vjeçari italo-amerikan, banues në Panama, konsull nderi i Uruguajt në Tiranë, ish-drejtues ekzekutiv i Bankës Amerikane të Shqipërisë e më herët i ING Italia. Drejtori Ekzekutiv u emërua Andi Ballta dhe anëtarë të bordit Armand Muharremi (ish-KPMG Shqipëri), Mark Craëford (President i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë) dhe Rezzo Schlauch (kryetar i grupit të Partisë së Gjelbër në Bundestag, ish-nënsekretar në qeverinë gjermane, konsull nderi i Shqipërisë në Stokardë, i martuar me një aktore shqiptare.)
Më 24 dhjetor 2015, kapitali i bankës u rrit nga 52 në 56 milionë euro, duke dhënë edhe një borxh të marrë më përpara nga Credite Agricole. Asnjë lëvizje tjetër financiare mbi kapital nuk është e regjistruar deri më sot, dhe e njëjta gjë edhe për kompaninë Tranzit shpk, e cila ka mbetur me kapitalin e saj fillestar prej 1,3 milionë euro.
Më 17 janar 2016, Banka e Shqipërisë miratoi dy këshilltarë të zgjedhur vetëm 10 ditë më parë më 7 janar 2016, të cilët janë Lindita Rama, shqiptare, bashkëshorte e Kryeministrit Rama dhe Richard Lukaj shqiptaro-amerikan i lindur në Itali.
Çuditërisht emërimi i tyre regjistrohet në QKR vetëm në fund të shtatorit 2016. Në vend të Roncharit, dorëheqja e papritur e të cilit u miratua më 20 tetor 2016, presidente bordi u emërua Kathryn Sëintek, amerikane, e pranishme në shumë borde të fondeve dhe kompanish, me të shkuar në BNP.
Banka ABI merr menjëherë shumë çmime “institucionale” nga qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës, edhe pse nuk duket se ka zhvilluar ndonjë biznes të madh, duke parë që nga blerja e bankës vetëm të ardhurat janë rritur me 63 milionë euro, pothuajse me 50 për qind, ndërsa çdo gjë tjetër ka mbetur e pandryshuar.
Sipas informacionit të publikuar nga uebi i NHC-së, Banka ABI mund të veprojë edhe si depozitë për fondet e kontrolluara nga NHC. Dhe kjo mund të shpjegojë rritjet e papritura të të ardhurave, duke pasur pronësinë e bankës drejton drejt saj likuiditetin e fondeve që administron.

Pikët e dyshimta

Struktura e kontrollit të bankës ngjall shumë dyshime në çdo vend të Evropës për një sërë motivesh që kanë të bëjnë me “politikat” e ndjekura në të gjitha vendet që luftojnë riciklimin.
Pronësia, e cila të çon tek Drejtori Ekzekutiv Andi Ballta dhe dy fondet e regjistruara në ishujt Cayman, e bënë të pamundur të përcaktohet përfituesi përfundimtar, dhe ndikimin kryesor në vendimmarrjen e bankës e kanë aksionerët e këtyre fondeve.
Por ligji i ishujve Cayman nuk lejon të njihet se kush janë aksionerët, të cilët janë në gjendje ta detyrojnë bankën të kryejë praktika “jo të përshtatshme” përfshirë ato me qëllim riciklimin e parave të pista. Madje, pikërisht fakti që fondet janë të regjistruara në një parajsë të njohur fiskale, pra të mbikëqyrur nga një autoritet lokal të interesuar për të ruajtur fshehtësinë e aksionerëve dhe veprimeve të kompanive, ushqen dyshimin se banka mund të jetë vërtetë e kontrolluar nga para të pista dhe që mund të përdoret për veprime të ndërlikuara të riciklimit të parave.
Ndërkohë, si për ligjin shqiptar mbi shoqëritë tregtare, si për politikat e zakonshme të përqafuara nga autoritetet mbikëqyrëse të “botës normale”, fakti se CEO i një banke është titullari, qoftë edhe në mënyrë indirekte, i një të tretës të së drejtës së votës në asamblenë e aksionerëve dhe është njëkohësisht administrator i shoqërisë (Tranzit shpk) që zotëron 100 për qind të së drejtës së votës në asamble, duket krejtësisht i pazakontë dhe përtej kufirit të parashikuar nga ligji. Është qetësisht e sigurtë që një strukturë e tillë kontrolli nuk mund të ishte pranuar në asnjë vend evropian, për motive të qarta të transparencës dhe politikave kundër riciklimit.
Edhe blerja e sipërcituar e 30 për qind të kuotave të shoqërisë Tranzit shpk që kontrollon bankën nga ana e drejtorit Ekzekutiv të Bankës, Andi Ballta, përbën një profil krejt të diskutueshëm nga pikëpamja e ligjeve ndërkombëtare antiriciklim, sepse ajo duket që mbulon një transaksion të kryer me vlera shumë të ndryshme nga ato të tregut.
Andi Ballta me 390 mijë euro ka blerë 30 për qind të bankës, e cila ka një kapital prej 55 milionë euro dhe e ka bërë këtë kur si ai ashtu edhe ortakët e tij e dinin tashmë që shoqëria do të kthehej në pronaren e vërtetë të bankës, dhe e ka bërë përpara se t’i nënshtrohej kontrolleve që Banka e Shqipërisë duhet të kryente përpara se të autorizonte shit-blerjen e bankës. Dhe nëse përfituesi i vërtetë i kuotës prej 30 për qind të jetë në të vërtetë dikush tjetër?

DASH: Shqipëria në listën e vendeve të pastrimit të parave

Departamenti i Shtetit e ka futur zyrtarisht Shqipërinë në listën e vendeve kryesore të pastrimit të parave në botë. Sipas përcaktimeve ligjore, qeveria amerikane konsideron vend kryesor të pastrimit të parave një vend “institucionet financiare të të cilit janë të përfshira në transferta parash që përfshijnë sasi të ndjeshme të ardhurash që burojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës”. Ky vendim është bërë i njohur në Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Kontrollin e Narkotikëve për vitin 2017. Raporti përgatitet çdo vit nga Departamenti i Shtetit për Kongresin e SHBA-ve dhe mbulon gjendjen dhe përpjekjet vendeve të ndryshme të botës në luftën kundër drogës dhe pastrimit të parave. Raporti 2017, i cili mbulon si periudhë vitin 2016, thekson se Shqipëria është bazë e krimit të organizuar, pikë e rëndësishme e trafikut ndërkombëtar të drogës, vend ku pastrohen lehtë paratë dhe ku sundon korrupsioni i shfrenuar.

Si e fitoi licencën për hapjen e bursës

Në konflikt të hapur interesi dhe në kundërshtim flagrant me ligjin, Abi Bank (Amerikan Bank of Investment) me ndikim të fortë nga bashkëshortja e Ramës, Linda Rama, ka marrë licencën për hapjen e bursës së parë private në Shqipëri. Projekti për ngritjen e kësaj burse private ka qenë një nismë e vet bankës së drejtuar nga bashkëshortja e kryeministrit si dhe një banke tjetër dhe një shoqërie financiare. Projekti i është paraqitur për miratim Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili e ka miratuar atë symbyllazi, duke i dhënë gruas së Ramës licencën për hapjen e bursës së parë private në Shqipëri. Bursa e parë private në Shqipëri u licencua, me aksionerë Credins Bank, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) dhe AK Invest. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Pajtim Melani, tha se janë krijuar kushtet për hapjen e një burse private në Shqipëri, sepse shoqëritë shqiptare private duke iu referuar bankës iniciatore të Linda Ramës sipas tij “janë maturuar dhe do të jenë të afta për t’u licencuar në bursë, për të tregtuar”. Melani ndodhej në Uashington për të marrë pjesë në një aktivitetet disaditor të organizuar nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Bursës.
Me pak fjalë e gjithë shitblerja e aksioneve që do të regjistrohen në këtë bursë, huamarrja përmes obligacioneve nga qytetarët si dhe titujt që qeveria dhe bashkitë do të tregtojnë aty do të jenë tërësisht në duart e kryeministrit. “Ne në mbledhjen e datës 3 dhe 5 korrik kemi licencuar Bursën e parë private në Shqipëri. Ajo mendohet të funksionojë si Bursë klasike. Vitin e parë vetëm me letrat me vlerë, për të bërë edhe një lloj testi të tregut dhe në këtë mënyrë, ne mendojmë se pas rreth 1 viti të ecim drejt listimit të aksioneve të shoqërive shqiptare, që tashmë besoj se kanë kaluar fazat e para të tranzicionit. Kanë kaluar fazat e 2 bilanceve, 3 bilanceve e kështu me radhë dhe pas një lloj fushate kundër informalitetit, tashmë ekonomia besojmë se është në shinat e duhura dhe shoqëritë shqiptare private do të jenë të afta për t’u listuar në bursë, për të tregtuar aksione, për të marrë para borxh nëpërmjet obligacioneve nga qytetarët, ashtu siç dhe qeveria e bashkitë mund të tregtojnë titujt në këtë bursë”, është shprehur Melani.
Kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare konfirmoi se ka qenë nisma e vet bankës përfituese në paraqitjen e një plani për hapjen e një burse private dhe si të vetmit që kishin paraqitur këtë plan u është dhënë edhe licenca. “2 banka dhe një shoqëri financiare kanë marrë nismën, kanë kontaktuar palët e interesit, kanë kontaktuar biznese, kanë bërë një biznesplan, kanë kontraktuar një sistem të tregtimit të titujve që është i njëjti sistem që përdor Bursa e Sllovenisë, kanë përgatitur të gjithë kuadrin rregullator, kanë testuar tregun dhe mendojnë që tregu do të funksionojë”, ka bërë të ditur Melani.
Mjafton vetëm fakti se pikërisht është Linda Rama, ajo që do të hapë bursën e parë private e që do të ketë marrëdhënie financiare me qeverinë e bashkitë për të evidentuar shkeljen e rëndë ligjore, dhe dhënien në konflikt të hapur interesi të licencës nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Skenarët e mundshëm

Një bankë në Shqipëri mund të kryejë shumë funksione, më e thjeshta dhe më normalja është ajo e mbledhjes së kursimeve nga publiku, të ardhura të cilat pastaj u jepen si hua kompanive ose individëve. Por kjo është shumë e vështirë të ndodhë për arsye të përmasave minimale të vetë bankës, të normave të ulëta të interesit dhe nga fakti që ajo nuk i përket një rrjeti ndërkombëtar bankar.
Ose një bankë në Shqipëri mund të shërbejë si bazë vepruese për të menaxhuar një fushatë investimesh strategjike në projekte të mëdha (për shembull, duke përdorur kapital rus të depozituar në fonde offshore, të cilët janë ortakë të bankës), duke siguruar mbulesë politike dhe siguri financiare, veçanërisht nën ombrellën e qeverisë, sikur mund të sugjerojë në këtë rast prania e personazheve të lidhur me histori politike. Në fund, një bankë e vogël dhe e veçuar nga sistemi, me një administrim shumë të qendërzuar, mund të shërbejë edhe për të administruar me kujdesin dhe fshehtësinë e duhur flukset financiare të një sistemi të korruptuar dhe paratë e pista të prodhuara nga trafiku i lëndëve narkotike.

Një tjetër bankë greke në shitje

Piraeus Bank e Greqisë ka për qëllim të shesë filialet e saj që i ka tërësisht në pronësi në Shqipëri, Bullgari, Rumani dhe Serbi, si pjesë e një plani për të reduktuar ekspozimet e saj të jashtme, sipas raporteve nga mediat greke, shkruan SEE Neës.
Plani Piraeus “përfshin uljen e ekspozimit të kredive me probleme të bankës (NPE) nën 20 miliardë euro deri në vitin 2020 nga 33.3 miliardë euro në tremujorin e parë dhe kreditë e saj me probleme (NPLs) me vonesë me më shumë se 90 ditë, në rreth 8 miliardë euro nga 23 miliardë euro në fund të muajit mars, njoftoi gazeta greke “Kathimerini” të mërkurën, duke cituar një lajm të agjencisë “Reuters” publikuar më herët.
“Deri në fund të vitit 2020, pritet që totali i aktiveve të grupit do të reduktohet në 70 miliardë euro”, tha Piraeus Bank, thotë në një deklaratë në faqen e saj, duke prezantuar strategjinë e saj të zhvillimit.
Huadhënësi do të bëjë një shqyrtim të disiplinuar të të gjitha bizneseve ekzistuese, në mënyrë që të maksimizojë burimet, në zonat ku Piraeus historikisht ka pasur një pozicion dominues, sipas përmbledhjes së strategjisë.
“Kjo do të përfshijë një strukturë të thjeshtuar të grupit dhe masave efektive të racionalizimit të kostove, si dhe optimizimit të mëtejshëm të rrjetit të degëve tona dhe investimet që synojnë digjitalizimin”, shtoi Piraeus.

Banka e Pireut në Shqipëri

Banka e Pireut zotëron në Shqipëri filialin e Tirana Bank. Sipas të dhënave të Shoqatës së bankave në fund të tremujorit të parë 2017, Banka e Tiranës kishte asete me vlerë 80 miliardë lekë, apo 5.6% të totalit të sistemit bankar, duke qenë banka e pestë më e madhe në vend, sipas aktiveve.
Portofoli i saj i kredisë ishte 29.5 miliardë lekë, ose 5% e totalit. Banka zotëronte depozita prej 62 miliardë lekësh, ose 5.2% e totalit.
Për tremujorin e parë, banka deklaroi një fitim sipas standardeve ndërkombëtare prej 286 milionë lekësh.
Bankat me kapital grek ishin mjaft agresive deri në vitin 2010, sidomos në drejtim të huadhënies. Më pas, ato u stepën gradualisht si rrjedhojë e rritjes së kredive me probleme nga njëra anë dhe krizës në Greqi nga ana tjetër. Në vitin 2010, Banka e Tiranës zinte gati 10% të totalit të aktiveve dhe 14% të totalit të huasë. Në vitin 2013, kjo peshë zbriti në rreth 8%, si për aktivet ashtu dhe për depozitat, për t’u luhatur në rreth 5-5.6% aktualisht.
Aktualisht tre bankat greke, (Alpha Bank, Tirana dhe NBG) zotërojnë 13.7% të totalit të aktiveve të sistemit bankar, nga gati 24% që ishte kjo peshë deri në vitin 2010. Sidomos pas krizës në Greqi, bankat me kapital grek nuk kanë shfaqur më interes për zgjerimin në rajon dhe kanë deklaruar planet e tyre për të reduktuar ekspozimin në Ballkan.