Avokati i Popullit të BE do të bëjë publike dokumentet e blerjes së vilës së Vlahutin

Vincent W.J. van Gerven Oei

Avokati i Popullit i BE-së ka pranuar kërkesën e “Exit.al” ndaj Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), për të bërë publike dokumentet e tenderit të blerjes së rezidencës zyrtare të ambasadores së BE-së në Tiranë.
Në një seri artikujsh, “Exit” ka nxjerrë në pah se procedurat e blerjes së vilës, me një vlerë totale prej 1,9 milionë eurosh, ngrenë dyshime për korrupsion të mundshëm, sepse përzgjedhja paraprake e pesë vilave nga të cilat u zgjodh ajo që u ble, përmbante opsione të papërfunduara, përtej buxhetit të paracaktuar, ose që nuk ishin fare për shitje.
Përzgjedhja paraprake e Delegacionit i ngjante shumë procedurave të përdorura shpesh në tenderat e qeverisë, të cilat hartohen qëllimisht që të sigurojnë që fituesi i paracaktuar të jetë i vetmi që mund të fitojë tenderin. Aq më tepër, ky proces përzgjedhje paraprake nuk u inspektua nga ekspertët e pavarur të Brukselit, të cilët erdhën në Tiranë për të inspektuar vetëm përzgjedhjen përfundimtare nga pesë opsionet e përgjedhura paraprakisht.
Për këtë arsye, “Exit” i kërkoi EEAS, shërbimit të BE-së që mbikëqyr trupin e saj diplomatik, të bënte publike 16 ofertat fillestare nga të cilat stafi i Delegacionit të BE-së në Tiranë përzgjodhi 5 vilat.
EEAS e kundërshtoi këtë kërkesë me justifikimin se ajo “do të… dëmtonte mbrojtjen e interesave tregtare”:
Me anë të kësaj shkrese, ju konfirmoj se bërja publike e listës së pronave të ofruara (pjesë e studimit të tregut) do të dëmtonte mbrojtjen e interesave tregtare të personave fizikë ose juridikë, sikurse përcakton Neni 4(2), paragrafi i parë, i rregullores të lartpërmendur [(EC) No 1049/2001]. Për këtë arsye, unë nuk mund t’ju jap mundësinë të keni qasje në këtë listë.
Pas refuzimit, “Exit” apeloi pranë Avokatit të Popullit të BE-së për të marrë dokumentet në fjalë, duke qenë se publikimi i informacionit që përmban këtë listë nuk dëmton domosdoshmërisht interesa tregtare, për aq kohë sa jepet informacioni teknik, por ruhet anonimati i ofertuesve.
Në një letër të 30 gushtit, Avokati i Popullit na njoftoi se do të plotësojë kërkesën e “Exit”:
Dëshiroj t’ju informoj se pas shqyrtimit të kërkesës suaj, ne kemi kontaktuar me EEAS me një propozim për të gjetur zgjidhje ndaj ankesës suaj, duke bërë publik një version të listës së pronave, që ruan anonimatin e ofertuesve.
“Exit” është duke pritur EEAS të zbatojë vendimin e Avokatit të Popullit dhe të na japë dokumentet që përmbajnë 16 ofertat, duke fshehur emrat e ofertuesve.
Inspektimi i këtyre dokumenteve do të na japë më pas mundësinë të verifikojmë dyshimin nëse faza e përzgjedhjes paraprake ka zgjedhur ato alternativa që të bënte të mundur që tenderin ta fitonte shitësi i preferuar apo nëse procesi i prokurimit ka qenë vërtet në përputhje të plotë me rregullat e vendosura nga vetë BE-ja.
Dyshimet e “Exit” janë tërësisht të justifikuara edhe nga përvoja e Delegacionit në të shkuarën. Delegacioni i BE-së në Tiranë ka një histori të gjatë keqadministrimi, e cila është dokumentuar përmes vendimeve të Avokatit të Popullit të BE-së.
Për më tepër, këtë verë u shfaq sërish cilësia e dobët e supervizimit të projekteve nga Delegacioni i BE-së, kur dy rrjete kanalizimesh të ujërave të zeza në Sarandë dhe në Ksamil, të dyja të rindërtuara me financim prej miliona euro nga BE-ja, u prishën duke përmbytur bregdetin me ujëra të zeza.
Pavarësisht historisë së vërtetuar të keqadministrimit dhe historive korruptive që qarkullojnë vazhdimisht mbi Delegacionin e BE-së në Tiranë, Komisioni Evropian e ka quajtur gjithmonë “shpifje” çdo kritikë apo hetim të aktivitetit të BE-së në Shqipëri. Shembulli më i fundit është në përgjigjen me shkrim ndaj deputetit të Parlamentit Europian, Eleftherios Synadinos.
Eurodeputeti Synadinos pyeti:
Ambasadorja e BE-së në Tiranë ka qenë nën mbrojtje të vazhdueshme në 24 orë me policë të armatosur pas kërcënimeve të lidhura me monitorimin e reformës gjyqësore në Shqipëri e hartuar për të pastruar sistemin gjyqësor të vendit.
Në të njëjtën kohë Sali Berisha, ish-kryeminsitri i Shqipërisë shprehu kohët e fundit vërejtje për atë që e quajti mbështetje e pakushtëzuar e ambasadores për qeverinë dhe ekzistencën e lidhjeve të fshehta të tyre me një fond për kompensim investitorësh.
Marrëdhënia e ngushtë dhe partizane me Kryeministrin Edi Rama u reflektua edhe në mostrajtimin nga ana e saj ndaj disa çështjeve të caktuara në përgjigje të pyetjes me shkrim të komisionerit përgjegjës për çështjet e zgjerimit dhe fqinjësisë.
Në fakt, marrëdhëniet e saj me Kryeministrin janë me përfitim të dyanshëm, bashkëshorti i saj ka fituar rregullisht kontrata publike në Shqipëri, të cilat, mund të argumentohen në mënyrë të arsyeshme, ngrenë një sërë pyetjesh të qarta dhe kanë pasoja të pamohueshme. Për më tepër, problemi i korrupsionit dhe çështjeve që lidhen me transparencën dhe shpërblimin në bazë të meritës janë çështje që ngrihen rregullisht në raportet e BE-së për Shqipërinë.
Së fundmi, një skandal financiar po vlon në lidhje me koston jashtëzakonisht të fryrë të rezidencës zyrtare të ambasadores dhe procedurat e ndjekura për blerjen e saj.
Duke qenë se ka të dhëna të mjaftueshme për sjellje të pajustifikuara nga ambasadorja në shërbim të interesave vetjake të saj, a do ta lirojë Komisioni zonjën Vlahutin nga detyrat e saj deri në sqarimin e këtyre çështjeve?
Kësaj pyetje, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini iu përgjigj:
BE-ja është qartësisht në dijeni të një fushate të vazhdueshme akuzash në drejtim të Delegacionit të BE-së në Tiranë dhe kreut të saj. Akuza të tilla janë përgënjeshtruar plotësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Në lidhje me çështjen e blerjes së rezidencës, e cila është ngritur nga një anëtar i nderuar, ju referoj tek përgjigjet e dhëna nga Shërbimi evropian i Veprimit të Jashtëm në kuadër të diskutimit të buxhetit të vitit 2015.
Në pajtim me Konventën e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike, e zbatueshme nga Delegacioni i BE-së në bazë të Marrëveshjes së Themelimit, vendi pritës është përgjegjës për mbrojtjen e personelit diplomatik, familjarëve të tyre dhe të zyrave të përdorura nga Bashkimi Evropian. Natyra e masave të kërkuara koordinohet me autoritetet përgjegjëse të vendit pritës.
Deri më tani, “Exit” nuk ka parë asnjë “përgënjeshtrim të plotë dhe në mënyrë të vazhdueshme” apo në të vërtetë, asnjë argument të arsyetuar dhe të mbështetur në fakte nga BE.
Përkundrazi, hetimi ynë, i cili do të kishte qenë shumë i shkurtër në kohë nëse EEAS do të ishte treguar e hapur dhe transparente, është bllokuar në mënyrë të vazhdueshme nga EEAS, e cila fshihet pas konfidencialitetit, ndërsa refuzon të japë llogari para taksapaguesve të BE-së, të cilët kanë të drejtë të dinë pse ishte e nevojshme dhe e pashmangshme të shpenzoheshin 2 milionë euro për një vilë në një kompleks rezidencial që dihet gjerësisht se është ndërtuar nga oligarku më i pasur i vendit dhe ku banojnë njerëzit më të korruptuar të vendit.
Po ashtu, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë çfarë po ndodh me të vërtetë në këtë institucion të BE-së, i cili pretendon se ka një ndikim kaq të madh (supozohet edhe pozitiv) në të ardhmen e vendit.