Arsenal e Lazio nuk zhgënjejnë

Në Grupin G, Steaua e Bukureshtit nuk hasi kurrfarë vështirësie për të mundur 3-0 Viktoria Plzen. Rumunët shënuan dy herë në pjesën e parë me Budescun, në të 21-të dhe 44-trë, ndërsa rezultati përfundimtar u vulos nga Alibec. Hapoel Ber Sheva shfrytëzoi faktorin fushë për të mundur 2-1 Luganon, me gola të Einbinder dhe Tzedek, me këtë të fundit që madje realizoi dhe një herë tjetër gabimisht në rrjetën e tij.
Arsenali vuajti jo pak me Këlnin, si në fushë ashtu dhe në organizim me sfidën e “Emirates”, që nisi me 60 minuta vonesë për shkak të problemeve të krijuara nga tifozët gjermanë. Në fushë ndërkohë Topçinjtë triumfuan 3-1 duke përmbysur disavantazhin fillestar të Modeste. Kolasinaç realizoi në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa Alexis Sanchez ishte autor i një kryevepre në të 67-të duke i hapur rrugën drejt 3 pikëve të para në grup skuadrës së Wenger, ndërsa golin e sigurisë e realizoi Bellerin. 1-1 u mbyll takimi tjetër i këtij grupi mes Crvena Zvezdës dhe Bate Borisovit, ku për vendasit shënoi Radonjiç në të 54-trën, ndërsa për miqtë Signevich në të 72-tën.
Në Grupin I, Marseja iu fal një goli të Adil Ramis për të marrë fitoren me turqit e Konyasporit, ndërsa Vitoria Guimaraesh dhe Salsburg barazuan 1-1 mes tyre, ku Valon Berisha spikati me golin e barazimit për austriakët, ndërsa më parë pati realizuar dhe Pedrao për portugezët.
Ostersund është kryesur i Grupit J, me skuadrën suedeze që mori 3 pikët në tranfertën e Zorya falë suksesit 2-0 që u arrit pas finalizimeve të Ghodos dhe Geros në pjesën e dytë, ndërsa takimi tjetër i këtij grupi mes Hertës dhe Athletic Bilbaos u mbyll pa gola 0-0.
Në Grupin K, vëmendja ishte për Vitese-Lacio, që ishte dhe një përballje mes dy shqiptarëve, Strakosha e Rashica, ndërsa si vëzhgues në tribunë ishte zyrtari i FSHF, Denis Bastari. Rashica ishte lojtari më i mirë për të tijtë teksa dhuroi dy asist për golat e Matavz dhe Linsens, por bardhekaltërit përmbysën rezultatin duke fituar në fund 2-3, falë një goditjeje të fortë të Parolos në hyrje të zonës, saktësisë së Immobiles brenda në zonë dhe finalizimit të Murgia në të 75-tën. Nice e nisi gjithashtu mbarë rrugëtimin në Europa League falë një suksesi 5-1 në transfertë me Zulte Waregem, ku luajti dhe ish-sulmuesi i Skënderbeut, Peter Olaynka. Plea shënoi dy golat e parë për francezët, që mbyllën ndeshjen që në pjesën e parë me golin e 0-3 të Dantes. Në fillimin e pjesës së dytë ekipi belg shkurtoi diferencën me Isekan, por Saint Maxim dhe Balotelli kompletuan fitoren e Nices.
Në Grupin L, Zenit dhe Sociedad fituan të dyja me goleada ndaj rivalëve të tyre, me Sociedadin që mposhti Rosenborgun në San Sebastian. Llorente ishte protagonisti kryesor i sfidës teksa shënoi golin e parë dhe të katërt, ndërsa në tabelën e shënuesve përfunduan gjithashtu dhe Zurutza e Skjelvik, me këtë të fundit që dërgoi topin gabimisht në rrjetën e tij. Kokorin spikati ndërkohë për Zenitin në fitoren në Shkup ndaj Vardarit, teksa realizoi një dygolëshn në 21 minutat e para, ndërsa fitorja u kompletua dhe nga Dzyuba, Ivanoviç dhe Rigoni.