Aplikimi për Lotarinë Amerikane do të nisë më 3 tetor 2017

Ambasada amerikane në një postim në rrjetin social “ Facebook” përveç se ka përsëritur edhe një herë datën e aplikimit për Lotarinë Amerikane, ka njoftuar gjithashtu mbi mënyrën që duhet të ndjekin të interesuarit për aplikim. Konkretisht, sipas postimit të ambasadës, programi i Lotarisë Amerikane hapet në datën 3 tetor 2017, ndërkohë që të interesuarit mund të kryejnë vetëm një aplikim, njëkohësisht duhet ta kryejnë atë sa më herët. Departamenti i Shtetit amerikan njofton se edhe për vitin 2018 do të jenë në dispozicion 50 mijë viza për të gjithë shtetasit në botë, ku pjesë është edhe Shqipëria. Si çdo vit, edhe këtë herë përzgjedhja do të jetë në dorë të shortit kompjuterik. “Periudha e aplikimit nis më 3 tetor 2017. Si gjithmonë këshillohet të mos pritet deri në ditët e fundit për të aplikuar, sepse kërkesat e shumta mund të rëndojnë website-n e Lotarisë Amerikane. Nëse aplikohet vetë duke e njohur mirë procedurën e aplikimit dhe rregullat e saj, nuk ka tarifë për t’u regjistruar për lotarinë, ndërsa tarifa e vizës paguhet ditën e intervistës në konsullatë vetëm nga ata që do të rezultojnë të përzgjedhur. Para aplikimit për lotarinë, duhet të kontrollohen kërkesat për kualifikim, siç është arsimi ose puna e specializuar. Kërkesa për arsim të mesëm të barabartë me arsimin e mesëm në Shtetet e Bashkuara është shumë e prerë dhe profesionet për të cilat përvoja e punës mund të përdoret për t’u kualifikuar, janë të kufizuara. Kualifikimet nuk shqyrtohen para intervistës, kështu që përzgjedhja për lotarinë nuk do të thotë gjithmonë se aplikanti do të kualifikohet për vizë”, shkruan ambasada. Pak ditë më parë, Departamenti i Shtetit amerikan njoftoi se edhe për vitin 2018 do të jenë në dispozicion 50 mijë viza për të gjithë shtetasit në botë, ku pjesë është edhe Shqipëria. Ashtu si kurse edhe në vitet e tjera edhe këtë herë përzgjedhja do të jetë me short kompjuterik. Aplikimi për vizat për periudhën 2018-2019 fillon në datën 3 tetor dhe data e fundit kur mund të plotësoni formularin do të jetë 7 nëntori i po këtij viti.