Anjeli mbetet President i Juves

Dënimi me 12 muaj i Andrea Anjelit për raportet me disa grupe ultras, do ta privojë biznesmenin italian në disa çështje dhe pjesëmarrje të rëndësishme te kampionët e Italisë, por ai sërish do të mbetet President. Sanksionet ndaj numrit 1 juventin do t’i imponojnë Anjelit mungesën në të gjitha aktivitetet e Federatës italiane të Futbollit, nuk do t’i lejojnë takime me agjentë të FIFA-s dhe nuk do të mund të përfshihet në diskutimet gjatë ndeshjeve para apo gjatë tyre.
Por Andrea Anjeli do të ruajë poltronën e tij në Shoqatën europiane të Klubeve të Futbollit, si dhe në ekzekutivin e qeverisë së futbollit botëror, kjo përmes hapësirave të ngushta ligjore. Juventus ka njoftuar zyrtarisht se do të apelojë dënimin e Presidentit në çështjen e shumëdiskutueshme me tifozët ultras duke e cilësuar inkurajuese lehtësimin e akuzave, por jo të mjaftueshme në këtë padrejtësi. Si për ironi të fatit edhe organi i akuzës do të kërkojë apelimin e çështjes, duke e quajtur të pamjaftueshëm dënimin e Andrea Anjelit. Prokuroria kishte kërkuar dy vjet e gjysmë dënim për numrin 1 të kampionëve, si dhe dy ndeshje pa tifozë, diçka që u hodh poshtë.
Veç Andrea Anjelit, që personalisht është gjobitur edhe me 20 mijë euro, të dënuar nga gjykata janë edhe Francesco Calvo dhe Stefano Merulla me të njëjtin verdikt si presidenti, por edhe Alessandro Nicola D’Angelo me 3 muaj më shumë pezullim dhe 20 mijë euro gjobë.
Në procesin e zhvilluar me dyer të mbyllura, i nisur nga hetimi penal “Alto Piemonte”, kreu i Prokurorisë së FIGC-së, Giuseppe Pecoraro kishte kërkuar në gjykatë dënimin e presidentit të Juventusit me 2 vite e gjysmë pezullim, si dhe një gjobë prej 50 mijë eurosh.
Prokuroria kishte kërkuar në pretencën e saj edhe dënimin e Juventusit me zhvillimin e dy ndeshjeve me dyer të mbyllura, një tjetër ndeshje me mbylljen vetëm të sektorit “Curva Sud” të ultrasve, si dhe 300 mijë euro gjobë për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të klubit bardhezi sa i përket procesit së shitjes së biletave për ultrasit bardhezi.