5 arsyet e krizës!

Real Madrid pavarësisht se ka fituar dy tituj në fillim të këtij edicioni, po ka probleme në La Liga. Skuadra e Real Madridit ka barazuar dy herë dhe është mposhtur një herë në tre ndeshjet e zhvilluara këtë sezon në La Liga. E përditshmja spanjolle “Marca” beson se janë pesë faktorë në dështimin e Realit në ndeshjet e zhvilluara në “Bernabeu”.
Këto janë pesë arsyet:
Mungesa e golit – Problemi kryesor i Real Madridit këtë sezon janë mungesa e golave, pasi në pesë ndeshje në La Liga ka shënuar vetëm nëntë gola.
Besimi i tepruar – Real Madrid në tre ndeshjet e para fitoi dy tituj, Superkupën e Evropës ndaj Manchester Unitedit dhe Superkupën e Spanjës ndaj Barcelonës, skuadër të cilën e mposhti në dy ndeshje. Ky vetëbesim i tepruar po ndikon edhe në paraqitjet e skuadrës.
Pezullimi i Ronaldos – Sulmuesi portugez sezonin e kaluar ishte lojtari kryesor i Realit, por pezullimi me pesë ndeshje ka ndikuar edhe në paraqitjen e skuadrës. Kthimi pas pesë ndeshjeve nuk ishte i suksesshëm, pasi dështoi të shënonte në humbjen 1:0 ndaj Betisit.
Vendimet e gjyqtarëve – Real Madrid këtë sezon është dënuar shumë nga vendimet e dyshimta të gjyqtarëve. Në pesë ndeshje tre kapitenët e Realit, Ronaldo, Ramos dhe Marcelo u ndëshkuan me kartonë të kuq. Dy të parët ishin të pamerituar, ndërsa i Marcelos ishte i merituar.
Lëndimet – Përveç rezultateve jo të mira në La Liga, Reali ka pasur shumë probleme edhe me lëndimet e lojtarëve. Lojtarët e lënduar në fillim të këtij sezoni janë Marcelo, Vallejo, Theo, Kovaçiç, Kroos dhe Varane.
Real Madrid, përveç problemeve me rezultate, po ka telashe edhe me lëndimin e lojtarëve. Sipas të përditshmes sportive madrilene, “AS”, Marceo nuk do të jetë pjesë e Real Madridit në ndeshjen ndaj Alavesit për shkak të lëndimit. Por, përveç Marcelos, Los Blancos në këtë takim do të jetë edhe pa yjet si: Mateo Kovaçiç, Karim Benzema, Jesus Vallejo dhe Theo Hernandezin, të cilët janë të lënduar.
Kurse, Zinedine Zidane po mendon që Dani Carvajalit, i cili ka luajtur vazhdimisht, t’i japë pushim në ndeshjen ndaj Alavesit. Kurse, në vend të spanjollit, trajneri francez po mendon që ta ftojë të riun, Achraf Hakimi, i cili ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të Real Madridit.